Kina përshpejton prodhimin e vaksinës së koronavirusit të ri

Kina ka miratuar një projekt për të prodhuar një vaksinë për koronavirusin e ri.

Projekti do të udhëhiqet nga një spital në Shangai dhe një vaksinë provë pritet të jetë gati për testim brenda 40 ditëve.

Në të njëjtën kohë, studiuesit në Kinë kanë përzgjedhur 30 barna ekzistuese për testim të mëtejshëm, duke përfshirë produktet natyrore biologjike aktive dhe barnat tradicionale kineze, të cilat mund të kenë një efekt terapeutik ndaj koronavirusit të ri

************

Mjeku Zhong Nanshan shprehet që epidemia e pneumonisë mund të arrijë kulmin në periudhën brenda një jave ose deri në 10 ditë.

Ai parashikon që nuk do të ketë rritje në shkallë të gjerë pas kësaj periudhe.

Eksperti rithekson rëndësinë e zbulimit dhe izolimit të hershëm në luftën kundër epidemisë.

Kina ka raportuar afro 6000 raste të konfirmuara të pneumonisë të shkaktuara nga koronavirusi i ri. Numri i të vdekurve arrin tani mbi 130.

************

Qyteti i Wuhan-it së shpejti do të ketë 10 000 shtretër spitalorë të rezervuar për pacientët me koronavirus, teksa zyrtarët po marrin masa për të forcuar kapacitetet e sistemit shëndetësor të mbingarkuar të qytetit.

Autoritetet tashmë kanë përcaktuar mbi 5 300 shtretër në spitale të ndryshme për të sëmurët me koronavirus dhe afro 6 000 të tjerë do të shtohen në fazën tjetër të planit për të zgjeruar kapacitetet e sistemit të kujdesit shëndetësor të qytetit.

Dy spitale të reja me një numër të përgjithshëm mbi 2 000 shtretër do të jenë gati javën e ardhshme.

125 nga 132 vdekjet nga virusi kanë ndodhur në provincën Hubei, kryeqendër e së cilës është Wuhan-i.

************

Autoritetet kineze i kanë këshilluar qytetarët që të shtyjnë udhëtimet jashtë vendit gjatë periudhës së epidemisë së koronavirusit.

Zyrtarët thanë se kjo bëhet për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e qytetarëve kinezë e të huaj dhe për të parandaluar humbjen e panevojshme të jetëve.

Administrata Kombëtare e Emigracionit thekson se njerëzit që shfaqin simptomat e infektimit të rrugëve të frymëmarrjes, si ethe, kollë ose vështirësi të frymëmarrjes, duhet ta ndërpresin planet e udhëtimit të tyre dhe të kërkojnë ndihmë mjekësore

************

Ministria e Arsimit e Kinës thotë se simestri i pranverës 2020 do të shtyhet për shkak të epidemisë së koronavirusit të ri.

Ministria nuk dha datat e sakta të hapjes së semestrit të ri, por u shpreh se vendimet duhet të merren në varësi të vendit.

Ndërkohë, policia hekurudhore ka intensifikuar kontrollet mbi shpendët e gjalla dhe kafshët e tjera, të cilat besohet se janë burimi i virusit të ri.