Planifikohet heqje e notave për klasët fillore të ulëta

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka treguar planprogramin për arsim, ai ka thënë se planifikojnë t’i eliminojnë notat për klasët fillore të ulëta.

Kurti, këtë e bëri të ditur gjatë një bashkëbisedimi virtual me Fernando M. Reimers, profesor në Universitetin e Harvardit, transmeton Klan Kosova.

“Diskutuam gjatë mbi sfidat e arsimit dhe politikat që i planifikojmë për mandatin e ardhshëm, duke filluar nga shujtat falas për të gjithë fëmijët, eliminimi i notave për klasët fillore të ulëta, kurrikulat e reja dhe edukimi dual që ndërlidh aftësimin profesional me tregun e punës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ai ka theksuar se planifikojnë që t’i shtyjnë studentët më të mirë të nivelit master të angazhohen në mësimdhënie.

“E dimë se shumica e klasëve në shkolla janë të mbingarkuara, dhe një reformë që propozoi profesori Reimers e që ka funksionuar për shtetet e ngjashme është angazhimi i asistentëve për mësimdhënësit e të gjitha niveleve. Lëvizja Vetëvendosje planifikon të nxit studentët më të mirë të nivelit Master të angazhohen në mësimdhënie, dhe të ofrojë përgatitje profesionale të vazhdueshme në nivel kombëtar për të gjithë”.