Më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë, Kosova dhe Serbia nënshkruan marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve. Kjo marrëveshje u nënshkrua në praninë e presidentit amerikan, Donald Trump.
Si pjesë e marrëveshjes ishte edhe ajo se Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare gjatë një viti, kurse Serbia do të ndalonte fushatën e saj ndaj Kosovës dhe lobimin për tërheqjen e njohjesh për Kosovën.
Por, ende pa kaluar një muaj i plotë nga nënshkrimi i marrëveshjes, Serbia ka filluar ta shkel me te dy këmbët atë.
Dy Ministrat e Aleksandër Vuçiqit, Ivica Daçiq dhe Aleksandër Vulin, kanë filluar me sulme ndaj shtetit të Kosovës dhe ndaj shqiptarëve.
Daçiqi kërkoi nga serbët që mos të bashkëpunojnë për gjetjen e varrezave masive nëpër Serbi të shqiptarëve të vrarë, kurse Vulin në deklaratë zyrtare i ka quajtur shqiptarët me termin fyes “shiptarima”.
E krejt kjo sipas profesor, doktor Enver Bytyçit, është shkelje e marrëveshjes së Uashingtonit.
“Ndërsa në Uashington presidenti i Serbisë nënshkroi më 4 shtator një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ekonomike me Kosovën, në Beograd ka filluar stuhia politike e radhës, me qëllim që të nxitet konflikti e nxehtë midis shqiptarëve dhe serbëve. Kam thënë në krye të herës se pa pajtimin politik midis Kosovës dhe Serbisë nuk do të ketë sukses asnjë marrëdhënie tjetër midis palëve. Pa pajtimin politik të tyre nuk do të ketë minishengen, sikur 100 marrëveshje të nënshkruhen midis palëve. Pa pajtimin politik, edhe nëse do të ndërtohet infrastruktura, nuk do të mund të funksionojë ajo, sepse do të mungojë liria për shfrytëzimin e saj”, thotë Bytyçi.
Sipas tij, Ivica Daçiç është politikani më agresiv kundër Kosovës.
“Por nuk kisha menduar se vetëm disa javë nga dita e nënshkrimit të marrëveshjes do të ndodhin çmenduri të tilla si deklaratat e dy ministrave më të rëndësishëm të qeverisë serbë, atij të Jashtme, Ivica Daçiç dhe të Mbrojtjes, Aleksandër Vulin. Rama “u xhindos” nga deklarimet e Vulin ndërkohë që fshehu kokën kur foli Daçiç, ndonëse ky i fundit dëshmoi se është pjesëmarrës aktiv në masakrat kundër shqiptarëve. Ivica Daçiç është politikani më agresiv kundër Kosovës. Agresiviteti i tij nuk buron nga dëshira që të shtojë elektoratin e tij, por nga urrejtja milosheviqjane që ai ka për shqiptarët. Jam i sigurt se atë serenatën e para disa viteve që ia këndoi kryeministrit të Shqipërisë e ka shoqëruar e zjarrin e urrejtjes, thjesht se e di për shqiptar!”, thekson Bytyçi për “Bota sot”.
Bytyçi e quan të tmerrshme deklaratën e Ivica Daçiqit.
“Ajo çfarë deklaroi ministri serb i Punëve të Jashtme është e tmerrshme. T’u kërkosh publikisht bashkëkombësve që të fshehin të vërtetën e masakrave dhe lokacionin e eshtrave të të masakruarve shqiptarë në kohën kur kjo çështje ishte pjesë e marrëveshjes së Uashingtonit, kjo sjellje politike e Daçiç merr disa domethënie: Së pari, ushqen një konflikt të ri në rajon, sepse thirrja ka të bëjë me kërkesën për ta ruajtur dhe thelluar urrejtjen serbe ndaj shqiptarëve. Për pasojë i fton gjithashtu shqiptarët që të rebelohen, pasiqë nuk ka qenie njerëzore që të und të durojë poshtërimin dhe mburrjen e agresorit pas gjithë atyre masakrave. Deklarata e Daçiç ishte kërcënim ndaj shqiptarëve në modelin se “Ne do t’u rikthehemi vrasjeve, dhunës, agresionit ndaj Kosovës”. Ajo deklaratë ishte mburrje për atë që ka ndodhur, edhe pse një mburrje burracakësh”.
“Së dyti, deklarata në fjalë ishte refuzim i marrëveshjes së nënshkruar në Uashington më 4 shtator 2020, e ndërkaq pjesë e lojës së dyfishtë diplomatike të Serbisë. Loja e dyfishtë diplomatike ka qenë dhe mbetet karakteristika themelore e politikës dhe diplomacisë serbe. Dhe një gjë e tillë ka në thelbin e saj hipokrizinë, mashtrimin diplomatik intrigën politike. Uashingtoni duhet ta lexojë mirë këtë mesazh. Unë e di se udhëheqësit e Beogradit në bisedat e errëta hiqen si miq, premtojnë të pamundurën, sidomos kur kanë ndonjë peng, ndonjë hall apo ndonjë strategji për ta arritur. Ndërkohë janë tjetërsoj, sapo ta kalojnë lumin e dhjesin kalin. Po i vure ngushtë përsëri të thonë “Më fal, më fal, isha në vështirësi, nuk ë lanë të tjerët. Unë jam gati të bëj çdo gjë për ju”! Së treti, deklaratat e Daçiç dhe Vulin besoj se më së shumti janë pjesë e skenarit të Aleksandër Vuçiç. Ose në të kundërt, këta të dy duan t’i kundërvihen politikave të presidentit serb për t’u afruar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por unë besoj tek e para. Vuçiç mund të jetë nën presionin amerikan sa i përket transferimit të ambasadës së Serbisë nga Tel Avivi në Jeruzalem si dhe për çështje të tjera të marrëveshjes që nënshkroi në Shtëpinë e Bardhë. Për të blerë kohë në zbatimin e kësaj marrëveshjeje I duhet të sajojë një konflikt të brendshëm në qeverinë e tij. Se paku deri me 3 nëntor. Së katërti, këto deklarata kanë edhe një mesazh tjetër, ato synojnë t’i bëjnë me dije Moskës se ngado që të sillet politika dhe diplomacia serbe, finishin e ka në politikat e Kremlinit. Ose, ndoshta Ministri i Jashtëm dhe ai i Mbrojtjes i Serbisë janë fanatikë të lidhjeve strategjike me Rusinë dhe në këtë start marrëdhëniesh me SHBA-në duan të kuptojnë fundin e këtyre marrëdhënieve”, deklaron profesor Bytyçi për “Bota sot”.
Ai ka thënë se deklarata e zyrtarit serb Daçiq, ishte anti amerikane dhe anti humane. Sipas Bytyçit, këto deklarata janë arsye e mjaftueshme për t’i thënë jo bashkëpunimit me çmimin e turpit para Serbisë.
“Nëse administrata Trump është vërtet e përkushtuar kundër supremacisë gjeopolitike ruse në Ballkan duhej të reagonte ashpër ndaj deklaratës së Daçiç. Ajo është deklaratë anti-amerikane. Ndërkaq amerikanët dhe europianët kishin edhe një arsye tjetër serioze për të reaguar. Deklarata ishte jo humane. SHBA dhe Europa mburren e themelimin e shoqërisë humane e të civilizuar. Nëse ato nuk kanë interesa gjeopolitike duhet të mbrojnë vlerat me të cilat e për të cilat nxitën shembjen e perandorisë sovjetike (ruse) dhe asaj jugosllave (serbe). Qeveria e Kosovës dha një deklaratë kundër të dy deklaratave të mësipërme. Por nuk jam i sigurt nëse i kanë trazuar nga gjumi kancelaritë perëndimore. Duhet të vlojnë peticionet, memorandumet, ankesat, letrat, e-mailet, mediat, gjithçka që mundëson informimin e qeverive perëndimore. Këto deklarata janë arsye e mjaftueshme për t’i thënë jo bashkëpunimit me çmimin e turpit para Serbisë. Për t’i thënë jo minishengenit Rama-Vuçiç, ndoshta edhe marrëveshjes së Uashingtonit dhe bisedimeve të Brukselit. Sepse fajtor për deklarata si këto nuk janë vetëm zyrtarët e Beogradit, por edhe ata të administratës Trump e të Brukselit”, përfundon për “Bota sot” profesor, doktor Enver Bytyçi.