Piktorët e njohur nga Maqedonia me ekspozitë në Shkodër

Emra të njohur dhe të dëshmuar të artistëve nga Maqedonia e Veriut janë pjesë e ekspozitës me titullin “Variacione Artistike” që u hap të shtunën në galerinë Oda në Shkodër. Ekspozita e organizuar nga shoqata Ed-Ri me mbështetje të Ministrisë së Kulturës në Maqedoninë e Veriut, zgjoi interes mjaft të madh në Shkodër, qytet i njohur për traditën e pasur kulturore. Hapjen solemne të ekspozitës e bëri fotografi i njohur, Osman Demiri.

Galeria Oda është një portë e hapur për artistët e vendeve të ndryshme që duan të paraqesin veprat e veta në Shkodër. Kurse drejtoresha e galerisë, Rozafa Shpuza, gjithmonë e gatshme për të begatuar jetën kulturore në qytetin e saj, kësaj radhe pa asnjë hezitim hapi dyert për artistët nga Maqedonia e Veriut. Artistët e Shkodrës e vlerësuan këtë ekspozitë, e veçanërisht përmbajtjen e saj shumëdimensionale, duke pranuar se kjo është risi për një pjesë të madhe  të artdashësve në këtë qytet. Hapja solemne e ekspozitës “Variacione Artistike” u përputh me 28 Nëntorin, festën kombëtare të shqiptarëve, që edhe më tepër i shtoi peshën këtij evenimenti kulturor. Ekspozita do të jetë e hapur për artëdashësit edhe gjatë kësaj jave./Gazeta Lajm