Pika Zero dhe rrugëdalja evropiane

Shkruan: Veton Surroi

Qeveria e Kosovës gjendet sot në pozicionin në të cilin mohon mundësinë e themelimit të një Asociacioni/Bashkësie që do të ishte kundër Kushtetutës së vendit (dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Është po ashtu në situatë ku ka pranuar që çështja e marrëveshjeve të Asociacionit/Bashkësisë do të zgjidhet brenda kontekstit të Propozimit Evropian (gjermano-francez), të përkrahur nga SHBA-ja. Kjo është kundërthënia e madhe sot

1.

Rrethi vicioz i krijuar rreth Asociacionit/Bashkësisë së Komunave Serbe nuk zgjidhet duke e injoruar, hedhur poshtë apo mos e trajtuar atë si problem. Pra, do marrë me të.

Ky konstatim duket sikur të jetë në kundërshtim me tri vazhdimet e kaluara të këtij shkrimi, ku përshkrova se si Asociacioni/Bashkësia si “obligim” për zbatim të Marrëveshjeve të Brukselit (2013 dhe 2015) do të ishte një kategori pushteti e ndërtuar mbi diskriminim (pra shkelje të të drejtave të njeriut) dhe shkelje të Kushtetutës.

Megjithatë, ekzistojnë dy dimensionet e rrethit vicioz të Asociacionit/Bashkësisë, e të cilat ndonëse janë të ndërlidhura, duhet shikuar ndaras, si pjesë e veprimit për zbërthimin e rrethit vicioz. Ekziston dimensioni juridik/kushtetues dhe brenda tij Asociacioni/Bashkësia që ashtu siç ishte nënshkruar më 2013 dhe 2015 do të ishte në kundërshtim me Kushtetutën e vendit (dhe Kartën evropiane për të drejtat e njeriut). Ekziston, ndërkaq, edhe dimensioni politik, e ai është se Kosova ka marrë si obligim të vetin të zbatojë Marrëveshjet e nënshkruara dhe këtë obligim nuk e ka vetëm ndaj Serbisë, me të cilën është në proces negociator, por ndaj BE-së dhe SHBA-së që shërbejnë si lehtësues/ndërmjetësues.

2.

Me supozimin (e mbështetur në zgjidhjet ekzistuese ligjore) se Kosova mund të lirohet nga dimensioni juridik – pra të mos konsiderohet pjesë e narracionit të një obligimi ligjor që ka epërsi mbi sistemin ligjor të vendit – megjithatë, do të mbetet dimensioni politik karshi SHBA-së dhe BE-së që Asociacionin/Bashkësinë e shohin si pjesë të punëve që duhet bërë si pjesë e Marrëveshjes së normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht ecjes së Kosovës në rrugën e vet euroatlantike.

Pra, edhe po të mos jetë “Pacta sunt servanda” në kuptimin e së drejtës ndërkombëtare, çështja e Asociacionit/Bashkësisë mbetet pjesë e besueshmërisë politike të qeverisjes kosovare, një “Pacta sunt servanda” politike. Mbetet, pra, thelbi i besueshmërisë së kontraktuesit: një Qeveri nuk mund të heqë dorë prej nënshkrimit të vet vetëm ngase këtë nënshkrim e ka dhënë një Qeveri e mëparshme (çfarëdo të ketë qenë arsyeja e asaj Qeverie për të bërë një gjë të tillë).

Qeveria e Kosovës gjendet sot në pozicionin në të cilin mohon mundësinë e themelimit të një Asociacioni/Bashkësie që do të ishte kundër Kushtetutës së vendit (dhe Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut). Është po ashtu në situatë ku ka pranuar që çështja e marrëveshjeve të Asociacionit/Bashkësisë do të zgjidhet brenda kontekstit të Propozimit Evropian (gjermano-francez), të përkrahur nga SHBA-ja.

3.

Kjo mund të quhet kushtimisht “pika zero” në të cilën gjendet Kosova në një kontekst të ri negociator. Kushtimisht, ngase nuk ka pikë zero të fillimit të ri; është vetëm kontekst i ri, që bart edhe detyra të vjetra.

Në këtë pikë zero, ndihmon por nuk është e mjaftueshme të thuhet nga SHBA/BE se Asociacioni/Bashkësia do ta respektojë Kushtetutën e Kosovës. Kjo është pjesë e narracionit të Asociacionit/Bashkësisë si “obligim” të imponuar nga lart poshtë – nga një “traktat ndërkombëtar” ndaj realitetit juridik të vendit. Ilustrimi më i mirë i mosefikasitetit të një qasjeje të tillë është Marrëveshja e Brukselit e vitit 2015, e cila u nënshkrua nga kryeministri i Kosovës dhe u përcoll me një letër garancie nga Federica Mogherini, me funksionin më të lartë për politikë të jashtme e të sigurisë në BE. Ajo shkroi në gusht të vitit 2015: “Dëshiroj të konfirmoj se është mirëkuptimi i BE-së që Asociacioni/Komuniteti në përputhje me Marrëveshjen e Parë dhe Ligjin e Kosovës – nuk do të përbëjë një nivel të tretë të qeverisjes dhe nuk do të ketë kompetenca ekzekutive”. Një mirëkuptim i këtillë i Mogherinit thelbësisht u hodh poshtë nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës në verdiktin rreth Marrëveshjes së 2015.

Dalja nga rrethi vicioz nuk do të gjendet në qasjen nga lart-poshtë, nga përcaktimi i cakut (Asociacioni/Bashkësia) dhe adaptimit të realitetit kushtetues-juridik ndaj këtij caku. Rezultati do të jetë gjithnjë i njëjtë, përpjekje dhunimi të sistemit kushtetues-juridik mbi bazën e diskriminimit. Dalja nga rrethi vicioz do të bëhet me qasjen poshtë-lart, pra duke identifikuar nevojat dhe ndërtuar zgjidhjet për to.

4.

Pra, do ndërruar konceptin prej atij të tanishmit se Asociacioni/Bashkësia është një obligim në konceptin se Asociacioni/Bashkësia është një liri. Komunat e Kosovës, si gjithandej në Evropë, nuk kanë obligim të bashkohen e të bashkëpunojnë por kanë të drejtën që të bashkohen e bashkëpunojnë.

Rrjedhimisht, definimi i problemit të Asociacionit/Bashkësisë nuk është se si të detyrohen komunat e Kosovës që të bashkohen e bashkëpunojnë (siç shkruan në Marrëveshjen e vitit 2013), por si t’u mundësohet që të bashkohen e bashkëpunojnë.

Në këtë kontekst, mund të zgjidhen dy rrugë themelore të rileximit të Marrëveshjeve të vitit 2013/2015. Një rrugë mohuese të kontraktualitetit politik të Kosovës do të mund të thoshte se Kosova ka një Asociacion të komunave dhe komunat me popullatë shumicë serbe janë të lira të jenë pjesë të tij. Pra, që nuk ka nevojë fare të trajtohet tema e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Rruga pohuese e kontraktualitetit politik të Kosovës do të japë përgjigjen se komunat evropiane janë të lira të bashkëpunojnë e bashkohen, rrjedhimisht edhe ato kosovare; që të gjitha e çdo njëra veç e veç kanë të drejtën e bashkëpunimit. Dhe, nëse komunat me shumicë serbe kështu zgjedhin, kjo e drejtë shkon tej Asociacionit të tanishëm të komunave të Kosovës.

Në kontekstin e Marrëveshjes 2013/2015 rruga pohuese do të formulohet me të drejtën që kanë komunat me shumicë popullate serbe që të krijojnë format e bashkimit/bashkëpunimit si çdo komunë evropiane, siç kodifikohet në Kartën Evropiane për Vetëqeverisje lokale.