Petrovska: Pajisjet që ia kemi dhuruar Ukrainës do të shkatërroheshin së shpejti

“Tanket që janë pjesë e tri vendimeve për dhurimin e ndihmave ushtarake dhe armatimit për Ukrainën janë transportuar dhe dhurimi i tyre nuk e cenon gatishmërinë luftarake të ushtrisë sonë”.

Këtë e tha sonte ministrja e Mbrojtjes Slajanka Petrovska. Ajo në TV Sitel, deklaroi se që nga fillimi i agresionit kundër Ukrainës, ministria ka marrë tri vendime politike në Qeveri, të cilat ende janë të klasifikuara për shkak të çështjeve të sigurisë, por shumë shpejt, me propozim të ministres, ato do të deklasifikohen dhe në një formë të përshtatshme do t’i komunikohet publikut se çfarë saktësisht RMV i ka dhuruar Ukrainës.

Petrovska tha se bëhet fjalë për pajisje të gjeneratës së tretë jo premtuese, e cila do të duhej të shkatërrohej për një kohë të shkurtër.

Duke shpjeguar pse janë klasifikuar, Petrovska tha se në fillim të gjitha vendet që kanë dhuruar kanë deklaruar në mënyrë transparente, por më pas ka pasur kërkesë që të mos jetë aq transparente për arsye sigurie.