Petkoviq flet për takimin e 19 marsit me Bislimin: Diskutohet për Asociacionin e dinarin

Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, ka bërë të ditur se nesër do të udhëtojë për në Bruksel, ku të martën do të zhvillohen bisedime në nivel Teknik.

Ai tha për RTS-në tha se në takim do të diskutohen të gjitha çështjet e rëndësishme për deeskalimin e situatës, përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe si dhe çështjen e dinarit.

Edhe zëvendëskryeministri i vendit, Besnik Bislimi, ka pranuar ftesë nga emisari special i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, për takim në nivel kryenegociatorësh për të martën.

Dy ditë më parë, zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano ka njoftuar se në takim do të flitet me theks për vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës që dinari serb të mos përdoret si mjet pagesave.

Stano ka theksuar se në agjendën e së martës është edhe zbatimi i marrëveshjes së Ohrit, që ai e ka quajtur çështje urgjente.