Personi që goditi presidentin francez Macron dënohet me 18 muaj burgim

Sulmuesi që goditi me shuplakë presidentin francez Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në qytetin Tain-l’Hermitage në Francë u dënua me 18 muaj burg, prej të cilave 14 muaj janë pezulluar, raporton Anadolu Agency (AA).

Në rastin e proceduar në Gjykatën Penale në Valence, prokurori Alex Perrin kërkoi që sulmuesi Damien Tarel të dënohet me 18 muaj burg.

Prokurori Perrin gjithashtu kërkoi që 28-vjeçari Tarel të ndalohet të mbajë funksione publike dhe të votojë dhe që ai të ndalohet të ketë armë për pesë vjet.

Në mbrojtjen e tij, Tarel tha se Macron përfaqëson rënien e vendit dhe se ai nuk e kishte planifikuar shuplakën paraprakisht.

Gjykata e dënoi Tarel-in me 18 muaj burg dhe pezulloi 14 muaj të dënimit.

Tarel u dërgua në burg për të kryer katër muaj të dënimit.

Ligji francez parashikon një maksimum prej 3 vitesh burgim dhe një gjobë prej 45.000 eurosh për krime të ngjashme.

Ndryshe, pasi vizitoi një shkollë të mesme të turizmit dhe hotelerisë në qytetin Tain-l’Hermitage, Macron iu afrua turmës që priste për t’u përshëndetur. Personi që iu afrua presidentit Macron i mbajti krahun me njërën dorë dhe e goditi me dorën tjetër.