Personat e vaksinuar me dy doza vaksine antivirus do të pajisen me certifikatë

Edhe pse procesi i vaksinimit nuk po ecën me dinamikën e planifikuar, vendi ynë është një hap më afër pasaportës së imunizimit. Ministria e Shëndetësisë po i përgatit certifikatat qytetarëve të vaksinuar me dy doza, në mënyrë që të lëvizin lirshëm nëpër shtetet që kanë ndaluar hyrjen e shtetasve të Maqedonisë së Veriut, si pasojë e përshkallëzimit të pandemisë nga virusi korona. Ministri Filipçe tha se kjo mund të jetë valide me fqinjin jugor Greqinë për të mos hasur pengesa gjatë sezonit turistik. Ata që nuk janë vaksinuar, ai tha se viza e vetme për lëvizje të lirë do të jetë testi PCR.
Ajo që duhet të kërkohet gjatë kalimit të kufirit është një certifikatë për vaksinën e pranuar, për të cilin kemi konfirmim të gatshëm me një kod të përshtatshëm, i cili do të pranohet në të gjitha pikat kufitare. Kjo certifikatë është e gatshme dhe në fillim të javës tjetër, të hënën do të lëshohet në mënyrë retroaktive për të gjithë personat që janë rivaksinuar. Nëse qytetarët nuk vaksinohen, kushti i dytë është një test negativ PCR- deklaroi Venko Filipçe, Ministër i Shëndetësisë.

Por, e ashtuquajtura pasaporta e imunizimit nuk ka marrë dritë jeshile nga vendet e BE-së e as nga Organizata Botërore e Shëndetësisë. Dilemat qëndrojnë në jetëgjatësinë e efektit të vaksinës, pasi nuk dihet a do të aplikohen çdo vit sikur vaksinat e gripit sezonal apo një here të vetme deri në arritjen e imunitetit kolektiv.

Sipas autoriteteve greke, kufiri me Maqedoninë do të jetë funksional me këto kushte që nga 14 maji. Për herë të parë në pandemi edhe Shqipëria ka vënë masën e karantinimit dy javorë për të gjithë ata që hynë nga Maqedonia. Pritet që ky vendim të rishikohet pas festave ose të paktën të bëhet me PCR test./ALSAT