Përse kaq shumë parti në RMV dhe nga vjen kjo?

Shkruan: Agron Vrangalla, gazetar

Me siguri se njerëzit kanë pikëpyetjet e tyre rreth asaj se si ka mundësi që në RMV nuk rehatohen partitë asnjëherë dhe për çdo ditë lindin parti të reja. Dhe thonë: “secili lufton për karrigen e vet”. Krejt kjo është në rregull, por mbase situata duhet parë edhe nga një këndvështrim tjetër.

Tamam, politika ka punët e veta dhe pjesëtarët e saj e dinë më mirë se për çfarë luftojnë dhe në cilin krah duhet të pozicionohen.
Mirëpo, le ta shohim pak situatën nga pikëpamja socio-kulturore. Ja po ndalemi vetëm te shqiptarët e Maqedonisë.

Në vendin tonë njerëzit ndahen apo grupohen sipas disa sferave të ndryshme jetësore. Si për shembull:

– Ndarje urbane (qytetarë e katundarë)
– Ndarje krahinore (është filani nga Struga, Ohri, apo nga Shkupi, Kumanova…)
– Ndarje dialektike (flet me “q” me “ç” apo me “zhglë”
– Ndarje arsimore (njerëzit shohin njëri-tjetrin në bazë të nivelit të shkollimit), këtu kemi shumë nënlloje: të pashkolluar, të shkolluar, gjysmë të shkolluar, gjysmë-gjysmë të shkolluar, analfabetë funksional, të shkolluar jofunksional etj etj)

– Ndarje të asaj se si e shohin apo si nuk e shohin besimin fetar. Edhe pse shumica dërrmuese e shqiptarëve janë myslimanë, çuditërisht këtu kemi disa nënlloje të kategorive të besimit dhe atë: besimtarë, jobesimtarë, agnostikë, laikë, radikalistë, gjysmë-fetarë, gjysmë-jofetarë, pak fetarë, shumë fetarë, anti-fetarë etj etj)

– Ndarje kulturore (modernë, të hallakatur, tradicional, arkaikë, kanunistë, anti-kanunistë, me sheriat, pa sheriat, me tradita kombëtare, pa tradita kombëtare, nacionalista, populista, globalista, sorosoidë, anti-sorosoidë, turkofila, turkofobë, amerikanca, francuzë dhe pak hollandezë… për një shoqëri të hapur, për një shoqëri të mbyllur, për një shoqëri as të hapur as të mbyllur por të lënë në mes etj etj

– Ndarje sociale (të pasur, të varfër, gjysmë të pasur, gjysmë të varfër, pasanikë që shkelin të varfërit, pasanikë që ndihmojnë të varfërit, varfanjakë të mirë, varfanjakë të këqinj, shtresë e mesme fake, shtresë e mesme reale, të varfër që duan të duken të pasur, të pasur që gjithë ditën ankohen se nuk kanë, etj etj)

Krejt këto ndarje i dedikohen një numri prej 500-600 mijë shqiptarëve në RMV!

Në të njëjtën gjendje janë edhe maqedonasit!

Dhe

ju prisni të kemi veç dy parti a?

Dikush do thotë po këto dallime janë vlerë e një populli. Pse kush tha se nuk janë vlerë. Problemi është se këtu ne i kemi shndërruar në fronte çdo dallim të vogël që kemi. Ne ndahemi edhe për një ekip futbolli. Edhe për fara luledielli. Nëse tjetri i do farat e bardha e unë të zeza, ka gjasa mos rrimë me njëri-tjetrin. Pse prej kur luledielli ka nisur të bëjë fara të bardha. Kot dhe ju…

Sidoqoftë, duke parë në prospekt, të gjitha partitë në RMV do të ndahen në dy grupe dhe atë:

– Parti konservatore (VMRO-DPMNE, LEVICA, BESA, ALTERNATIVA, LËVIZJA DEMOKRATIKE)
– Parti liberale (LSDM, BDI, PARTIA DEMOKRATIKE EVROPIANE etj)
ALEANCA PËR SHQIPTARËT MË DUKET PARTI E BOSHTIT (me tipare të dyanshme)

Kujdes!

Këto ndarje nuk nënkuptojnë koalicionime të mundshme, as parti simotra me njëra-tjetrën. Këto janë thjeshtë për të treguar se në këtë vend, si do që të jetë, me gjithë dallimet që kemi, partitë duan apo s’duan, patjetër e kanë të pozicionohen në dy blloqe. Fundja nga vetë pushteti dhe opozita e ardhshme këto parti do të përballëzohen në dy krahë😊