Përqafimi mes shqiptarit të Kosovës dhe serbit të Serbisë, në Itali i bëjnë jehonë….

Mërgim Vojvoda ishte heroi i Torinos në ndeshjen e fundit të kampionatit ndaj Parmës teksa realizoi golin e vetëm të ndeshjes duke i dhuruar pikë shumë të rëndësishme ekipit të tij.

Të gjithë shokët e skuadrës e komplimentuan Vojvodën, për të cilin ishte edhe goli i parë në Serinë A. Sakaq, prestigjiozes La Repubblica i ka bërë përshtypje përqafimi i futbollistit të Kosovës, me atë të Serbisë, Sasa Lukiç, shkruan vipsport.

Duke njohur historinë e tensioneve mes dy vendeve, media italiane thekson se nëse dy lojtarët do të ishin takuar në një tjetër kohë, atëherë në vend të përqafimit, do të kishin qëlluar njëri-tjetrin.

“Nëse ata do të ishin takuar në tjetër kohë, apo në tjetër vend dhe në një jetë tjetër, kushedi, ndoshta Sasa dhe Vojvoda do të kishin qëlluar njëri-tjetrin. Ose ndoshta do ta kishin urryer njëri-tjetrin në rrugët ku historia, gjeografia dhe gjaku miksohen. Por, në vend të kësaj ata luajnë me njëri-tjetrin… Prandaj futbolli është i bukur”, shkruhej në artikullin e La Repubblica.