Përplasje brenda dy grupeve në BDI

Grupin e zjarrit e ka kapur grupi, tha kreu i BDI-së Ali Ahmeti me ironi si përgjigje në pyetjen e qytetarit se përse nuk e duan Arta Grubin. Këto komente Ahmeti i bëri gjatë aktivitetit partiak në Zhelinë.

“Unë që 20 vjet jam në hall me këto pune. Largojë këtë, vendose këtë. Kulturë e një kombi është që kur emërohet një funksionar mbështete, sepse mandati është katër vjet, nëse ka punuar keq, pas katër viteve vjen ura e Siratit! Nuk është kulturë kombëtare e jona sepse as plaku i katunit nuk ndryshohet në mes mandatit. Ky është një grip, le të përdorin aspirina. Nuk është e dobishme”, tha Ali Ahmeti, kryetar i BDI-së.

I ashtuquajturi grupi i zjarrit, nga ana tjetër, kërkon nga Ahmeti të nxjerrë punën e ministrave në revision duke dhënë fjalën se asnjëri prej atyre që shprehin pakënaqësi nuk do të kërkojë post ministror.

“Asnjëri nga ne nuk do të jemi pjesë e ekzekutivit të ardhshëm po urdhëro Ali Ahmeti, nxirri para Këshillit të përgjithshëm ta ballafaqojmë raportin e tyre brenda këtyre tre viteve dhe revizionin tonë, dhe të vendosin anëtarët se cili duhet të rrijë dhe cili duhet të shkojë. Duhet të ndryshojë sistemi zgjedhor, duhet të ketë lista të hapura që aty të ketë deputet i cili del dhe kërkon votën e qytetarit, do ta ketë përkrahjen e qytetarit dhe i cili ka merita në vendbanimin e vet”, u shpreh Izet Mexhiti, nënkryetar i BDI-së.

Grupi i zjarrit së fundmi ishte në Gostivar kurse më herët dhe në Kërçovë, Kumanovë, Shkup e Manastir, kurse grupi të cilit i paraprinë Ahmeti deri tani ka lëvizur vetëm brenda territorit të Pollogut./Alsat.mk