Përmbytje katastrofike në veri të Italisë, 8 viktima e mijëra të evakuuar

Janë të paktën 8 viktimat e valës së motit të keq që ka përfshirë rajonin verior të Italisë, Emilia Romanja. Të gjithë lumenjtë kanë dalë nga shtrati duke sjellë përmbytje e rrëshqitje dheu në 24 komuna. Me mijëra persona janë evakuuar dhe rreth 50 mijë kanë mbetur pa energji elektrike. Autoritetet italiane paralajmërojnë se më e keqja nuk ardhur ende, dhe të rrezikuar janë edhe ekipe e shpëtimit. Mes viktimave, është edhe një grua që u tërhoq nga rryma e furishme e ujit për 20 km.

Banorët në qytete si Cesena të ngjiten në çatitë e banesave, ku zjarrfikësit i shpëtuan me helikopterë ose gomone. Një numër rrugësh dhe linjash hekurudhore u bllokuan dhe autoritetet në fshatra e qytete të ndryshme, përfshirë Bolonjën, u bënë thirrje banorëve të mos largohen nga banesat. Gjithashtu, qyteti verior i Ravenës, pranë brigjeve të Adriatikut, u prek rëndë nga përmbytjet.

Kryeministrja Giorgia Meloni shprehu solidaritet me popullsinë e prekur dhe përmes një mesazhi në Twitter tha se qeveria ishte e gatshme të ofronte ndihmën e nevojshme. Kjo është hera e dytë këtë muaj që Emilia Romanja goditet nga moti i keq, me të paktën 2 persona që humbën jetën gjatë stuhive në fillim të majit.

Reshjet e dendura të shiut pasojnë disa muaj thatësirë, e cila sipas meteorologëve reduktoi kapacitetin e tokës për të përthithur ujin, duke përkeqësuar impaktin e përmbytjeve.