Përkrahja e SHBA-ve forcon Kosovën në dialog, Vuçiq ka dy mundësi

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ishte pjesë e darkës joformale në kryeqytetin e BE-së në të cilën kanë marrë pjesë edhe gjashtë liderë të rajonit në të cilën janë biseduar për shumë gjëra.

Në këtë takim, Kurti kishte thënë mbi të gjitha se “Duam dialog të përgatitur mirë, si palë të barabarta ku thelbi është që e ka thënë edhe Joe Biden se zgjidhja e ka emrin në formën togfjalëshit: njohje reciproke. Njoha reciproke do të kontribuonte shumë për paqen dhe sigurinë afatgjate në rajon”.

Por, që një gjë të tillë po e kundërshton presidenti serb Aleksandër Vuçiq, duke thënë se nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, por duke mos kundërshtuar procesin e dialogut. Ai ka thënë se nuk pranon shantazhe dhe presione rreth saj.

Duke qenë kështu, sa mund të shpresohet në një marrëveshje finale me njohje të ndërsjellë, të cilën e ka kërkuar edhe SHBA? A duhet kjo e fundit ta bindë Serbinë që ta njoh Kosovën?

Kelmendi: SHBA rol aktiv në procesin e dialogut dhe se këtu nuk ka alternativë

Lidhur me këtë, profesori dhe njohësi i çështjeve politike e juridike, Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se presidenti amerikan Joe Biden ka treguar se në Ballkan ka prioritet zgjidhjen e problemeve me Serbinë duke përfunduar me njohje reciproke.

Sipas tij, Biden këtë e ka përmendur edhe brenda 100 ditëshit të qeverisjes së tij.

“Në kuadër të prioriteteve të Administratës së z. Joe Biden në Ballkan po prime çështja e Kosovës dhe raportet me Serbinë. Z. Biden ka treguar se në Ballkan ka priotitet zgjidhjen e problemeve me Serbinë duke prfunduar me njohje reciproke. Në 100 ditët e punës së z. BIden në Uashington janë tri intervenime në këtë anë: E para është shprehur në festën e Serbisë në urimin e dërguar nga Biden kriminelit Vuçiq. Me atë urim përmendet edhe çështja e Kosovës dhe njohja reciproke e shteteve si bazë e të ardhmes së këtyre shteteve. Hera tjetër ku Biden ka shprehur mendim të njëjtën është urimi për organet në Kosovë ku edhe këtu u thotë organeve se zgjidhjet me Serbinë duhet shkuar nga njohja reciproke e shteteve midis Kosovës dhe Serbinë. Tash së fundit edhe gjatë takimeve në Bruksel u deklarua Administrata e SHBA-së për njohje të shteteve”, ka thënë Kelmendi.

Tutje, Kelmendi thotë se qëndrimet e SHBA-së tregojnë që Kosova është shtet i pavarur dhe nuk negociohet në asnjë kohë me shtetin serb dhe se ato kanë treguar se do të jenë edhe aktiv në këtë dialog.

“Qëndrimet e tilla tregojnë së SHBA është për shtet të pavarur dhe se Republika është akt i pa-rikthyeshëm dhe nuk negociohet në asnjë kohë me shtetin serb. Me këtë qëndrim të z. Biden është forcuar pozita e Republikës dhe kjo ka marrë një mbështetje të fortë. Aq më shumë se SHBA- të deklaruan se do të jenë aktive në këtë dialog dhe se këtu nuk ka alternativë. Kjo i ka dhënë forcë të madhe Republikës dhe është nënkuptuar dhe kuptohet se nuk ka kthim prapa”, shprehet Kelmendi.

Në fund Kelmendi thotë se problem mund të jetë Asociacioni serb.

“Rreziku është për Asociacionin serb. Si do të organizohet dhe çfarë kompetenca do të ketë? Këtu duhet thënë se ky Asociacion nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Ai duhet të jetë Asociacioni në kuptim të lidhjes mbi baza të një shoqate pa asnjë pushtet të ri. Kalimi këtyre kompetencave e shndërron Kosovën në vend amorfe dhe Republika merr fund. Këtë nuk duhet lejuar”, ka deklaruar Kelmendi për “Bota sot”.

Lepaja: Serbia sërish po blenë kohë dhe po përpiqet të ndërtojë pozicione asnjejëse në raport me BE

Ndërsa, analisti politik, Fadil Lepaja për gazetën “Bota sot”, u shpreh se me ndryshimin e administratës amerikane kanë ndryshuar edhe pozicionet e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sipas tij, tashmë bumerangu ka kapur kthesën e vet dhe Kosova sërish është bërë barrë në qafën e Serbisë, barrë kjo që do ta pengojë atë vazhdimisht, qoftë në proceset e integrimeve evropiane, qoftë në zhvillimin e marrëdhënieve rajonale

“Pas ndryshimeve në administratën amerikane kanë ndryshuar edhe pozicionet e Serbisë në marrëdhëniet ndërkombëtare. Pas fuqizimit të idesë së ndryshimit të kufijve dhe rritjes së rolit të Rusisë në rajon si pasojë e marrëdhënieve në rritje mes saj dhe administratës së ish-presidentit Trump, tashmë bumerangu ka kapur kthesën e vet dhe Kosova sërish është bërë barrë në qafën e Serbisë. Kjo barrë do ta pengojë atë vazhdimisht, qoftë në proceset e integrimeve evropiane qoftë në zhvillimin e marrëdhënieve rajonale”, shprehet Lepaja.

Sipas tij, presoni mbi Serbinë është rritur, derisa edhe disa vende evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën po tregojnë afërsi më të madhe ndaj Kosovës.

“Presioni mbi Serbinë është rritur dhe deklaratat e zotit Vuçiç në këtë rast kanë dy motive: ato në njërën anë janë për opinion të brendshëm dhe në anën tjetër për atë të jashtëm dhe kanë për qëllim të bindin të gjithë se pa aprovimin e tyre çështja e Kosovës nuk merr fund. Kjo ka fituar rëndësi sidomos pas shenjave se disa vende evropiane të cilat nuk e kanë njohur Kosovën po tregojnë afri më të madhe ndaj Kosovës”, potencon Lepaja.

Në fund, Lepaja deklaron se në çështjen e Kosovës, Serbia vendosë se a do të integrohet në BE apo do të dezintegrohet edhe më tutje si vend, derisa shton se Serbia sërish po ble kohë dhe po përpiqet të ndërtojë pozicione asnjëjëse në raport me BE.

“Faktorizimi i Serbisë përmes Kosovës gjithnjë e më tepër po bëhet një strategji e lexuar tashmë dhe gjithnjë e më pak efektive. Në çështjen e Kosovës në fakt Serbia vendosë se a do të integrohet në BE apo do të dezintegrohet edhe më tutje si vend. Në përpjekje për t’i ikur kësaj Serbia sërish po ble kohë dhe po përpiqet të ndërtojë pozicione asnjëjëse në raport me BE-në dhe Rusinë dhe të faktorizohet si ndërmjetësuese dhe përfaqësuese e Rusisë në Ballkan dhe Evropë dhe përfaqësuese e Evropës në Rusi. Për të arritur këtë, Vuçiç po angazhohet për ndryshim kufijsh në rajon dhe për harta ku nuk figuron Kosova”, ka përfunduar Lepaja për “Bota sot”.