Përkeqësohet situata me Covid në Bullgari, Radev ndërpreu fushatën parazgjedhore

Presidenti bullgar Rumen Radev ka thirrur sot takim të jashtëzakonshëm me ministrat e Qeverisë kalimtare në lidhje me përhapjen e Kovid-19 në vend, njoftoi shërbimi për shtyp i kabinetit të presidentit.

Siç njofton korrespondenti i MIA-s nga Sofja, takimi do të mbahet në ndërtesën administrative të presidentit të Bullgarisë në ora 12:00. Qendra për shtyp e Komisionit Iniciativ “Rumen Radev/Ilijana Jotova” në mbështetje të kandidaturës së tyre për një mandat të dytë njoftoi se për shkak të takimit, Rumen Radev e anuloi programin e tij zgjedhor për këtë ditë.

Pak ditë më parë, Radev u tha gazetarëve bullgarë në Bruksel se Qeveria ishte “subjekt i kritikave” për mënyrën se si po zbatoheshin masat e reja.

“Ju bëj thirrje të kuptoni se çfarë po bën qeveria. Po, është subjekt i kritikave në disa aspekte, për mënyrën se si janë vendosur disa masa. Por, ne nuk duhet të lejojmë arritjen e kulmit të infektimeve që do të hedhë në erë kujdesin shëndetësor, do të çojë në rraskapitjen e plotë të mjekëve bullgarë”, tha atëherë Radev.