Përfaqësues të më shumë se 60 vendeve do të takohen në konferencën për rindërtimin e Ukrainës

Zyrtarë nga më shumë se 60 vende dhe qindra krerë të kompanive të mëdha botërore, do të takohen në Londër javën e ardhshme për Konferencën e dytë Ndërkombëtare për Rindërtimin e Ukrainës, ka njoftuar qeveria britanike.

“Rindërtimi i ekonomisë ukrainase është po aq i rëndësishëm sa strategjia ushtarake”, njoftoi Downing Street të shtunën.

Konferenca do të mbahet të mërkurën dhe të enjten. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do të marrë pjesë përmes video lidhjes.

“Trimëria e Ukrainës në fushën e betejës duhet të shkojë paralelisht me vizionin e sektorit privat për të ndihmuar vendin të rindërtohet dhe rimëkëmbet”, tha qeveria britanike.

Konferenca e Londrës për rindërtimin e Ukrainës, në të cilën do të marrin pjesë edhe organizata joqeveritare, është e dyta që nga fillimi i luftës, pas asaj të vitit të kaluar në Lugano të Zvicrës.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken dhe ministrja e Jashtme franceze, Catherine Colonna pritet të jenë mes liderëve politikë.

Më shumë se një vit që nga fillimi i luftës, Banka Botërore ka vlerësuar se Ukrainës aktualisht i duhen 14 miliardë dollarë për të riparuar dëmet materiale të shkaktuara nga lufta.

Por rimëkëmbja e ekonomisë së vendit do të kushtojë 441 miliardë dollarë sipas një studimi të fundit nga Banka Botërore, OKB, Bashkimi Evropian dhe qeveria e Ukrainës. Kjo shumë pritet të rritet me zvarritjen e luftës.