Perez mposht koronavirusin, rikthehet për Çmimin e Madh të Barcelonës

Sergio Perez do të rikthehet për të garuar në Formulën 1 që këtë fundjavë në Çmimin e Madh të Spanjës. Piloti meksikan mposhti më në fund virusin COVId – 19, duke fituar në këtë mënyrë edhe të drejtën për të marrë pjesë në garën e Katalunjës. Piloti i ekipit Racing Point rezultoi negativ dhe kaloi kështu me sukses testin e bërë për pandeminë e koronavirusit.

Muajin e kaluar Sergio Perez rezultoi pozitiv dhe për pasojë 30-vjeçari nga Guadalajara u shtrëngua për të hequr dorë nga dy garat e zhvilluara në Mbretërinë e Bashkuar, në Çmimin e Madh të Britanisë si dhe “garën e 70-vjetorit”. Të dyja këto gara u mbajtën në pistën e Silverstonit, respektivisht në datat 2 dhe 9 gusht dhe në Northamptonshire Perez u zëvendësua nga 32-vjeçari gjerman Nico Hulkenberg.

Në tre garat e para sezonale Sergio Perez bëri figurë të mirë, duke u pozicionuar në të gjitha rastet brenda vendit të shtatë, gjithsesi piloti i makinës me numër 11 humbi dy garat e radhës pasi u infektua me virusin COVID-19 gjatë një udhëtimi në atdhe. Në Meksikë Sergio Perez iu nënshtrua testeve dhe rezultoi i infektuar.

Shteti i Amerikës Qendrore përfaqëson një ndër vendet më të prekur në glob nga pandemia e koronavirusit dhe Meksika tashmë pozicionohet në vendin e tretë për nga numri i viktimave. Afërsisht 55.000 vetë kanë humbur jetën, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar në gjysmë milioni, sidoqoftë Sergio Perez ishte i shtrënguar për të udhëtuar drejt Meksikës, për shkak të nënës së tij, që kishte pësuar një aksident.

Asokohe piloti meksikan mbeti vërtet tepër i befasuar nga rezultati i testit të kryer, pasi kishte ndjekur me përpikëri gjatë tërë kohës të gjitha masat që përmbante protokolli i përcaktuar. Sergio Perez u bë piloti i parë i Formulës 1 që rezultoi pozitiv me virusin COVID-19. Krerët e Federatës Ndërkombëtare të Automobilizmit përcaktuan një protokoll, plot masa të rrepta që duheshin zbatuar nga të gjithë pilotët, gjatë lëvizjeve të shumta, për të reduktuar në minimum rrezikun e infektimit apo përhapjes së pandemisë së koronavirusit.

Në Çmimin e Madh të Britanisë piloti që e zëvendësoi Nico Hulkenberg pati probleme dhe nuk u nis fare, ndërsa në garën e 70-vjetorit të Formulës 1 32-vjeçari nga Westfalia e përfundoi garën në vendin e shtatë. Ditën e enjte ishin vetë drejtuesit e ekipit britanik që publikuan lajmin, duke konfirmuar se Sergio Perez kishte rezultuar më në fund negativ për virusin COVID-19 dhe drejtuesit e FIA-s i dhanë menjëherë të drejtën për t’u rikthyer në “paddock”, për të punuar bashkë me shokun e tij të skuadrës, 21-vjeçarin Lance Stroll, që është edhe djali i pronarit të ekipit, miliarderit kanadez Lawrence Stroll.

Aktualisht Sergio Perez mban vendin e tetë në klasifikimin e përgjithshëm, në kuotën e 22 pikëve, ndërsa edicionin e kaluar piloti meksikan e mbylli botërorin në pozicionin e dhjetë, me 52 pikë në total. Sezonet më të suksesshme për të konsiderohen vitet 2016 e 2017, kur me ekipin Force India Sergio Perez e mbylli kampionatin në vendin e shtatë në renditjen e përgjithshme.

Ndërkohë përsa i përket rezultateve piloti meksikan spikat me 8 podiume gjithsej në karrierë, në tetë pista të ndryshme, ku bien në sy dy vende të dyta pikërisht në sezonin e tij të dytë në Formula 1, në vitin 2012 me ekipin helvet Sauber dhe me motor Ferrari ai ja doli për t’u ngjitur në shkallën e dytë të podiumit në Çmimin e Madh të Malajzisë në Sepang dhe atë të Italisë, në pistën e Monza-s.