Për tu bërë nuse tetovare duhet harxhuar 20 mijë euro!

Fustani i bardhë, fustani i natës së kënës, dimijat, fustanat e tjerë, stolitë e arit si dhe shumë e shumë gjëra të tjera që llogariten si të patjetërsueshme në Tetovë, kushtojnë me mijëra euro të cilët detyrohet të paguaj familja e dhëndrit.


Në bazë të një analize disa mujore ka konstatur që një nuse tetovare për t’i bërë përgatitjet e dasmës harxhon mesatarisht mbi 20 mijë euro.

Familjet me buxhet mesatar në Tetovë dëshirojnë që vajzës së tyre që martohet t’i bëjnë dhuratë se paku një palë dimija, një stoli ari ku mund të përfshihet një qafore apo një byzylyk dhe disa fustana.

Por, kjo nuk është e gjitha, shpesh këtyre dhuratave u bashkangjiten edhe mjete të teknikës së bardhë dhe pajisjeve shtëpiake.

Poashtu ka raste kur familja e vajzës vendosin që si dhuratë për martesë t’i dërgojnë vajzës së tyre veturë që llogaritet si një dhuratë mjaft e mirë.
Po të kalkulojmë të gjithë këto harxhime duke mos marrë parasyshë veturën meqë është dhuratë më e rallë, familja e nuses harxhon diku rreth 5000 euro për të kompletuar dhuratat për vajzën e tyre.

Megjithëse të gjithë këto harxhime janë të mëdha ato përsëei nuk i afrohen shumës së harxhimeve që bëhen nga ana e dhëndrit.
Po e filloj nga dhoma e gjumit e cila kushton prej 1000 euro por edhe më shumë, varësisht nga salloni i mobiljeve ku e blejnë, nga materiali më të cilin është punuar dhe sigurisht nga modeli që ka.

Dhomës së gjumit i bashkangjitet perde dhe tepihë të cilët sigurisht që kushtojnë dhe kapin shumën së bashku mesatarisht deri në 300 euro.
Fustani i bardhë që paraqet një element të rëndësishëm të martesës gjithashtu për nusen tetovare duhet të jetë i veçantë, i blerë shtrenjt dhe në qoftë se kushton diku rreth 500 apo 600 euro nuk paraqet habi për nusen tetovare sepse ajo ka dëgjuar që ka raste kur fustanin e porosisin dhe ai kushton prej 1000 euro e ndoshta edhe më shumë.
Për të llogaritur shumën totale e marrim mesataren e që i bie diku rreth 800 euro.

Një fustan tjetër i rëndësishëm për nusen është edhe i ashtuquajturi “fustani i kanës” që kohëve të fundit ka filluar të marr formën e fustaneve që shohin në filmat e Indisë dhe sigurisht që janë të shtrenjtë sepse materiali është i shtrentjë.

Më i liri do të kushtonte 300 euro ndërsa për më të shtrenjtin do paguanin mbi 1000 euro. Një mesatare do të ishte diku rreth 500 euro.

Krahas këtyre nuses duhet t’i blejnë dimija të cilat përveç këpucëve kërkojnë edhe gjëra të tjera për të veshur, të cilat kushtojnë mjaft nga ku do të veçonim stolinë e arrit sepse siç thonë në Tetovë nuk mund të veshësh dimija pa pasur stoli të arrit.

Janë një sërë gjërash të cilat duhet nusja t’i ketë kur vesh dimija dhe po fillojmë nga më e lira duke shkuar gradualisht deri te më e shtrenjta e që llogaritet se janë stolitë e arrit.
Këpucët në të kaluarën kanë qenë këpuc të thjeshta me ndonjë zbukurim vizëllues por tanimë kohëve të fundit nuset preferojnë që të mbajne këpuc të punuara me model të njëjtë si të dimive.

Vetëm puna kushton 20 euro ndërsa obligohesh të blesh këpucët vetë dhe kjo përfshin diku rreth 40 euro për një palë këpuc të këtij lloji.Në raste të caktuara edhe më shumë por e po e marrim një mesatare.

Dimitë si duket i kanë shumë qejf nuset tetovare në përgjithësi duke dashur ndonjëher edhe t’i modernizojnë me ç’rast krijojnë modele të ndryshme të cilat për një kohë të shkurtër shpërndahen edhe nëpër rrjetet sociale.

Zakonisht këto fan page me modele të ndryshme të dimive i administrojnë pronarët e butiqeve të cilët bëjnë kështu edhe reklamimin e punës së tyre.

Dimitë kushtojnë diku prej 600-1200 euro varësisht modelit dhe mënyrës se si janë punuar. Nga kjo shumë ne e marrim mesataren e që është 800 euro për një palë dimi.
Dimitë patjetër të veshen me këmishë e cila poashtu është e shtrenjtë por shuma e saj varet edhe nga mënyra se si është punuar dhe me çfarë është punuar.
Ka këmisha nga 250 euro, por ka edhe më të shtrenjta, nga 500 euro në qoftë se janë të punuara edhe me gurë edhe me gjilpërë. Mesatarja këtu është diku rreth 400 euro.
Siç e dimë nuset mbajnë edhe “mindil” të punuar me gjilpërë që kushton mesatarisht 250 euro.

Mirëpo kohëve të fundit është bërë traditë që krahas mindilit nusja të ketë edhe një buqet me lule.

Buqeti mund të jetë i ndërtuar nga lulet natyrale apo lulet e plastikës dhe materialeve të tjera. Lulja kushton mesatarisht 15 euro duke e ditur qe ka edhe më të shtrenjta.
Mos të harrojmë edhe rregullimin e flokëve dhe grimin tek parukerja. Këtu çmimet janë të ndryshme që lëvizin prej 20 deri më 50 apo edhe 100 euro.

Mirëpo ne po e zgjedhim këtu shumën 25 euro për një rregullim në parukeri.
Duke pyetur pronarët e argjendarive se sa janë shumat mesatare për stolitë e arit që blenë një nuse, ata fillimisht nuk deshën t’i përgjigjen kësaj pyetje por në bashkëbisedim theksuan se diku rreth 3000-5000 euro është minimumi i arit që e blenë çdo nuse.

Sa për maksimumin nuk vazhduam të pyesim sepse dëgjojmë në përditshmërinë tonë që ka nuse që posedojnë deri më 100 000 euro stoli ari. Për tu bërë modest ne po e marrim mesataren 4 mijë euro stoli ari.

Gjithashtu nuses i blejnë dhe i qepin edhe shumë fustane me materiale të ndryshme, të shtrenjta e më të lira duke pretenduar se ato janë shumë të nevojshme për tu dukur një nuse ashtu siç i ka hije.

Përveç pjesës së teshave që i blejnë, nga ana e dhëndrit paguhen edhe harxhimet e restoranit dhe muzikës që do e marrin. Menyja në dasmat e Tetovarëve ndryshon varësisht prej restorantit që kanë zgjedhur, varësisht nga ushqimet që do i përmbajë por në ërgjithësi mënyja fillon nga 7 euro e deri më 20 e më tepër euro.

Mirëpo harxhimet e restoranit janë të mëdha sepse tetovari e ka traditë që në darsëm të ftojë familjarë, të afërm, farefis, shok dhe kolegë. Së paku 200 persona është lista fillestare për ata që do të ftojnë në dasëm.
Deri në ditën që do rezervohet arrinë numrin 250 e shpesh edhe më shumë varësisht se sa familja është e madhe.

Duke marrë për bazë një meny mesatare prej 10 eurove dhe një numër dasmorësh prej 200 personave, mund të themi që harxhimet e restorantit mesatarisht janë 2000 euro, por kjo ndryshon dukshëm varësisht menysë që zgjedhin dhe numrit të personave.
Muzika e dasmës gjithashtu kushton mjaft sepse preferojnë që edhe natën e kanës të marrin këngëtarë, edhe të nesërmen kur të shkojnë të marrin nusen por edhe në mbrëmje në restorant, kështu që për tre herë radhazi duhet të paguajnë këngëtarë.

Më pak që mund të paguajnë për muzikën është 1000 euro, ndërsa ka raste kur preferojnë të marrin ndonjë këngëtarë të njohur të estradës i cili kërkon deri më 2000 apo 3000 euro. Mesatarisht do thonim që muzika kushton diku 2000 euro.

Harxhime të tjera për zbukurim të shtëpisë, veturës së nuses, zbukurimit të teshave të nuses të rregulluara në kuti, harxhimet për ftesat e dasmës dhe shumë harxhime të tjera të cilat ndonëse të vogla kur të kalkulosh së bashku me harxhimet e më sipërme kapin shumën rreth 20 mijë euro.

Domethënë për tu bërë nuse tetovare duhet harxhuar 20 mijë euro e shpesh edhe më shumë sepse ka raste kur vetëm stolia e arrit kushton kaq e ndoshta edhe më shumë.
Por, ne në kalkulimet tona morëm për bazë atë që është e përgjithshmja e jo rastet ekstreme siç është edhe rasti kur nusen shkojnë e marrin me helikopter dhe i bëjnë stoli ari me shumë prej 100 000 mijë eurove.

Ju mbetet që vetë të vlerësoni si qëndron puna me tërë këto harxhime që edhe përkundër ankesave të përditshme se na ka kapluar kriza ekonomike nusja tetovare siduket qenka nusja më e shtrenjtë në Ballkan.

 Kosovarja