Për Ramazan në Gostivar do të ketë bukë falas për çdo familje të varfër

Në vazhdën e aksioneve humanitare me rastin e muajit të Ramazanit në Gostivar, vërejmë edhe një gjest jo të përditshëm. Prej sot, në tre furra në Gostivar do të ndahet bukë falas për familjet e rrezikuara sociale dhe të varfëra.

Shumën do ta paguajë një familje nga Gostivarit e cila nuk dëshiron publicitet. Në bisedë me ta, ata lutën të mos kumtohen hollësi për ta, por vetëm të kumtohen emrat e furrave. Ato janë më shumë për motive religjioze dhe duke cekur se askush nuk duhet të mbetet i uritur në këtë kohë.

“Që të realizohet në tërësi ky aksion duhet të plotësohet vetëm një prakusht, e ai është të bëhet porosia paraprake. Në atë mënyrë furrat do të mund ta përgatisin sasinë e planifikuar të bukës për ditën rrjedhëse”, thanë nga familja.

Bukë falas do të mund të merret në furrat “Tek Haxhi”, në lagjen Leska, “Evropa” në bulevardin “Vëllezërit Gjinoski” dhe “Drini i Bardhë” në rrugën “JNA”.

Kjo familje gostivarase përmendi se nuk ka kufizim të sasisë, port thjeshtë, siç thanë, çdokush të marrë aq sa i nevojitet.