Për një sportist dhe dy parulla

Shkruan: Blerim Shala

E gjithë Bota është kundër tij. Publiku nuk e do. Referët e ndëshkojnë kot së koti. Gazetarët e provokojnë vazhdimisht. Ama ai në fund fiton dhe tregon që është më i miri i të gjitha kohëve, apo GOAT.

Fjala është për një sportist, për një tenist. Për Novak Djoković-in. Dhe për përceptimin e tij në opinionin publik serb.

Kështu ishte edhe para përballjes së tij të fundit në Wimbledon, ku në finale, ky tenist pësoi disfatë nga spanjolli Carlos Alacaraz.

Pa dyshim ishte një ndeshje e jashtëzakonshme prej te dy tenistëve. Por, e tëra ishte vetëm lojë dhe vetëm sport.

Natyrisht, humbja e tij në mediat serbe u portretizua pikërisht kështu: si një disfatë në një sport, dhe në një lojë të madhe, ku rezultati final ka mundur të jetë krejt tjetër  (shumë saktë). Por, krejt ndryshe do të ishte sikur Djoković do të ngadhnjente në Wimbledon. Atëherë, ky do të portretizohej thuajse është një kalorës mesjetar që ia del të triumfojë në rrethana dhe kushte tepër të rënda, i rrethuar në të katër anët me armiq, teksa fitorja e tij shënon një tjetër konfirmim për superioritetin e një kolektivi kombëtar, për veçorinë e tij, për tiparet hyjnore që ka.

Nuk ka dyshim që secili komb dhe shtet në Rruzullin Tokësor identifikohet me sukseset e sportistëve të vet. Dhe anasjelltas. Kjo është e kuptueshme. Kjo është e pritshme dhe aspak befasuese. Nuk ka përçues më të suksesshëm të identetit kombëtar dhe shtetëror se sa sportistët.

Por kjo nuk do të thotë që përmes sportistëve, qofshin ata edhe më të arrirë dhe më të mirë në përmasa ndërkombëtare, duhet të përjellen mesazhe puro politike, të cilat janë kryekëput reflektim i tendencave politike dhe shoqërore në një komb dhe në një shtet.

Në këtë kontekst, duket që vet Đoković e sheh veten, apo, dëshiron kështu edhe të përceptohet në Serbi dhe jo vetëm aty, si një përfaqësues ideal i mendësisë aktuale që mbizotëron në shoqërinë serbe.

Këtë synim të tij e dëshmoi katërcipërisht gjatë turneut në Roland-Garros, në Paris, me një akt të vetin dhe me një deklaratë pas fitores së tij në këtë grand slam turne.

Ai përmes kamerës e cila e përcillte njërin prej ballafaqimeve të tij, përçoi mesazhin duke shkruar me gishta: ’Kosova është zemra e Serbisë’.

Ndërsa në fund të këtij turneu, ai dha një deklaratë, të cilën ia nisi duke thënë që teksa është e vërtetë që serbët janë popull hyjnor, shoqëria serbe megjithatë po përballet me telashe të cilat nuk mund të injorohen, etj. etj.

’Kosova është zemra e Serbisë’ dhe ’Serbët janë popull hyjnor’, janë dy parrulla themelore të një politike e cila në fakt, është përrallë e jo politikë, teksa çmimin e saj, e kanë paguar thuaja të gjithë popujt e kësaj pjese të Evropës, duke përfshirë këtu edhe vet popullin serb.

Por, në vend se me kalimin e kohës dhe pas gjithë asaj përvoje tragjike të viteve të nëntëdhjeta, të kalohet në një stad të ri, pro-evropian dhe pro-perëndimor, në politikën serbe janë ende në fuqi parrullat e këtilla dhe mendësia e kësisojt.

Nëse Djoković është pa dilemë një tenist i madh, më i suksesshmi në shumë aspekte në gjithë historinë e tenisit, dhe nëse ky fiton gati kudo, dhe nëse i njejti në mes të Parisit, gjatë dhe pas një ngadhnjimi të tij tjetër në një turnament grand slam, konstaton që ’Kosova është zemra e Serbisë’ dhe që ’Serbët janë popull hyjnor…’, atëherë, për këtë mendësinë mbizotëruese politike në Serbi, del që në Paris, nuk ka fituar vetëm një tenist serb, por ka fituar edhe politika serbe e cila ndërtohet mbi parrullat ’Kosova është zemra e Serbisë’ dhe ’Serbët janë popull hyjnor…’.

Kështu është kur ndërlidhen dukuri që nuk kanë gjë të përbashkët në mes vetes. Apo, kur gjithë një politikë dhe një gjendje në shoqëri reduktohet në disa parulla, të cilat nuk kanë të bëjnë gjë me realitetin. Dhe as që kanë pasë të bëjnë me realitetin ndonjëherë.

Si një sportist tepër i suksesshëm, tenisti Djoković, ka mundur gjithsesi të ofrojë një shembull tjetër, shumë më të mirë, për një popull dhe për një shoqëri.

Ai këtu nuk e ka bërë. Dhe nuk ka dashtë. Me gjasë.