Për një Polici përnjëmend, e jo për Polici të moralit

23:15 përafërsisht. Shtatë-tetë krisma ta çojnë mallin e fishekzjarrëve. Me vete mendoj, cilit budalla i ka rënë ndërmend sonte të shpërthejë fishekzjarrë, dhe a thua çfarë feston. Nuk kalojnë as tridhjetë sekonda, dëgjohen thyerje xhamash, gotash e rrotullime tavolinash. Prej dhomës brenda e parafytyroj se dikush po rrihet për ndonjë arsye. Nuk do të ishte hera e parë as në këtë rrugë e as në atë lokal. Kureshtja më qet jashtë: një grumbull njerëzish duke nxituar jashtë nga lokali… rrëke e vërtetë, nja 100 a 150 njerëz, nuk e di. Shumë.

Hallakaten, nisin lëvizjet vërdallë lart-poshtë, pa ndonjë ide as cak. Disa njerëz rrinë te dera e hyrjes, ndërkohë mbërrin policia – nja shtatë vetura, dy ambulanca, një veturë e blinduar… bllokohet rruga, bllokohet truri, vështirë kalon nga gjendja – a thua jam duke shikuar film të keq apo njëmend po ndodh.

Ndodhi. Fishekzjarrët e veshëve të mi dolën të jenë plumba të vërtetë. Një i vrarë, gjashtë të plagosur me plumba, dhjetë të lënduar me xhama. Prej gjithsej 17 të përfshirëve, 14 janë gra, që të gjitha “dëm kolateral”, për shkak se kanë qëlluar afër tavolinës ku kanë krisur me armët sa kanë mundur, pa u mërzitur fare se çfarë pasojash mund të lënë pas.

Është vrasja e dytë që ndodh në “Bon Vivant” brenda 9 vjetësh. Herën e parë, më 2014, lokali u mbyll për një kohë dhe u rihap i rimodeluar dhe i zgjeruar. Sivjet, që nga e premtja e shkuar, nuk i ka hapur dyert. Xhirimet e nxjerra prej lokalit tregojnë për një fat që u funksionoi shumë njerëzve brenda dhe që numri i viktimave u kufizua, zyrtarisht, në 17.

Ngjarja ishte shumë e shëmtuar. Ndjenja që la pas ishte e një pikëllimi. Se si ne, me duart tona, jemi në gjendje ta shkatërrojmë veten.

* * *

Tri ditë më vonë, në një lokal në Klinë, miku vret dhëndrin. E lë të pajetë në lokal dhe ikën, duke e ndalur një veturë në rrugë, duke e kërcënuar shoferin për t’ia marrë veturën. Me veturë të vjedhur ikën dhe ende është në arrati.

Dhe sa mendohet që më ky vrulli i krismave me armë mori fund, para dy ditësh ndodhi një vrasje tjetër, në një lokal nate në Runik të Skenderajt. Edhe tre të tjerë u plagosën me armë zjarri.

Dëshmitari i rastit tha se fatmirësisht në lokal, me muzikë live, kishin qenë vetëm 12-13 veta. Kjo, ngase sulmuesi kishte hyrë në lokal me një kallashnikov dhe kishte nisur të gjuante gjithandej lokalit. Gjithnjë sipas dëshmitarit, sulmuesi mbante maskë në fytyrë dhe një xhaketë kamuflazhi. Motivi nuk dihet, porse dikush u përkujdes të thoshte se lokali nuk merrej me prostitucion.

Bilanci i javës: 3 të vdekur, plot të plagosur dhe të gjitha rastet ndodhën në lokale që nuk mund të quhen ekskluzivisht të natës. Dhe, në dy raste dihet se autorët janë njerëz të njohur për policinë, për vepra të tjera penale. Pyetja që rrjedh logjikisht është se si është e mundur që këta njerëz të enden të lirë dhe të bartin armë? Për më tepër, si bëhet që të shkrepin me aq shumë lehtësi në vende ku pos viktimave janë edhe me dhjetëra, nëse jo, qindra njerëz të tjerë?

* * *

Armët janë të tmerrshme. Janë mbase industria më fitimprurëse në botë. Prandaj edhe ka kaq shumë luftëra – se pa armë luftë zor se mund të ketë.

Kur dëgjojmë për të shtëna armësh gjithandej Kosovës, nuk ke se si të mos pyetesh si është e mundur që Kosova e pasluftës t’i ketë gjithë këto armë në qarkullim. Nga vijnë? Dhe, pse u duhen atyre që i bartin? A bash të gjithë janë të rrezikuar saqë duhen të vetëmbrohen? Apo është kjo pjesë e kulturës së instaluar që arma të bën “të fortë”, pra edhe të jep pushtet.

Opozita, natyrisht, e shfrytëzoi rastin për ta akuzuar Qeverinë për krimin në rritje dhe e bëri përgjegjëse atë për krimet e ndodhura javën që shkoi. Se dikush duhet të marrë përgjegjësinë për vrasjet e krimin që po ndodhin, nuk ka asnjë dilemë. Por, opozita është më së paku e thirrur të flasë për kulturën e krimit dhe të armëve, kur tashmë është e ditur se krismën e armëve, që i quanin “revole me gaz” më së shumti e kanë praktikuar politikanët e opozitës. E sa u përket krimit dhe mosndjekjes së tij, këtë që e shohim sot është pasojë e qeverisjes së opozitës aktuale që nga Pavarësia e këndej…, pra, sundim i brishtë i ligjit dhe shikimi i trashë nëpër gishtërinj të atyre që kryejnë krime, por gjithnjë gjejnë dikë “të njohshëm” që i lë të lirë për t’u bërë recidivistë.

Te rasti i “Bon Vivantit” bëhej fjalë për një djalosh që kurrë nuk kishte përfunduar në burg, ani pse i kishte disa duzina kallëzimesh penale dhe një tjetër që ishte në kërkim nga FBI-ja për shpërndarje të kanabisit në Amerikë që nga 2010-a. Nëse është për t’u besuar rrëfimeve post-festum, fesati kishte krisur për shkak të përzierjes së njëri-tjetrit në tregun e shpërndarjes së narkotikëve. Po qe se kjo është e vërtetë, atëherë këtu absolutisht kanë dështuar Policia e Prokuroria. Është shumë e pabesueshme që dikush që është në kërkim nga FBI qe 13 vjet të endet i lirë nëpër Prishtinë dhe në fund madje që edhe të ikë nga lokali. E gjithashtu është e pabesueshme që një mujshar sikurse ky i riu të endet me lirinë më të madhe, dhe plus i armatosur, nëpër kafehanet e Prishtinës, kur e gjithë Prishtina flet se si tashmë e ka plagosur dikë, që e ka demoluar lokalin ku është plagosur, e kush e di edhe sa të zeza të tjera i ka bërë.

Te rasti i Klinës, vrasësi ishte në kërkim për vjedhje. Pra, i identifikuar si kriminel i dyshimtë, por i cili lëviz lirshëm dhe hyn në lokal publik i armatosur. Ta merr mendja Istogu, prej nga është, dhe Klina i kanë nga 2 milionë banorë e askush askënd nuk e njeh.

Duke pasur parasysh se kemi të bëjmë me recidivistë, atëherë del se armët, këta njerëz, i kanë bartur pa leje. Për shkak se Kosova e ka një Ligj për Armët, dhe në të thuhet se thuajse gjithkush që i ka mbushur 21 vjet mund të bëhet me armë zjarri. Nuk i di detajet e akteve nënligjore, porse nëse vërtet secili mund të blejë armë e ta regjistrojë, duke dëshmuar se është në gjendje të mirë psiko-fizike dhe se nuk ka kryer vepër penale paraprakisht, përfundimisht e kemi një problem.

A bash gjithkujt i duhen armët? Pavarësisht rrethanave, pavarësisht jetës që e bën. Pse nevoja për t’i bartur nëpër lokale, me gjithë ata njerëz përreth? Për më tepër, pse t’i bartin me plumbin brenda në tytë, të gatshme për të shkrepur menjëherë?

Dikush nga autoritetet duhet të merret me këtë çështje urgjentisht. Dhe duhet dalë me një propozim se si duhet qasur këtij problemi. Nëse nuk veprohet me kohë, pasojat do të jenë shumëfish më të rënda.

* * *

Lista e arsyeve se përse ky popull duhet protestuar është aq e gjatë sa nuk e zë një kolumne. Qytetarët e Prishtinës, për shembull, mund ta bëjnë një listë të gjatë, që nis nga zhurma, nga mbyllja e rrugëve lidhje-palidhje dhe bllokimi i trafikut, nga pisllëku që e ka kapluar qytetin e deri te mungesa e zhvillimit ekonomik dhe jeta e shtrenjtë që mezi përballohet nga një numër i madh njerëzish.

Po e njëjta, në parim, do të mund të vlente edhe për Prizrenin. Por jo. Atje protestohet për tjetër gjë.

Dje, menjëherë pas ritualit të lutjeve të ditës së premte, me qindra burra u mblodhën para Xhamisë së Sinan Pashës për të protestuar. Thanë se ishin kundër festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”, sepse, sipas organizatorëve të protestës, “DokuFesti” po sjell performanca degjeneruese (duke iu referuar interpretimit të “Peaches”, që është mbajtur pas mesnatës së të premtes së kaluar). Është me rëndësi të theksohet se thirrje për të marrë pjesë në protestën kundër festivalit ka bërë edhe kryetari i Këshillit të Bashkësisë Islame në Prizren, Besim Berisha.

Sipas organizatorëve të festivalit, “Peaches” është luftëtare për të drejtat e njeriut, në veçanti të të drejtave të grave. Performancat e saj kanë për qëllim përçimin e kësaj porosie. Unë nuk e kam parë performancën, pra edhe nuk mund të gjykoj se a ka qenë provokuese, e papranueshme, e mirë apo e keqe. Por, ajo që më ra në sy nga pamjet e protestës qe se nuk e pashë asnjë grua të vetme të protestonte kundër “Dokufestit” apo edhe kundër performancës ”degjeneruese”. Dhe kjo flet shumë për këtë protestë. Flet për një përpjekje për instalimin e një “policie të moralit” që tregon se çka është degjeneruese e çka jo, dhe flet edhe në emër të gjithë të tjerëve që nuk janë burra.

Nuk kam dëgjuar ndonjëherë të jetë organizuar një protestë kundër fajdexhinjve, hajnisë, dhunimeve, trafikimit të njerëzve apo kundër zhurmaxhinjve të dhunshëm në Prizren – a nuk janë këto veprime degjeneruese afatgjate me të cilat jemi duke u përballur qe dy dekada e gjysmë?

Nga ana tjetër, “DokuFesti” është ngjarja që qe 22 vjet ia ka rritur vlerën Prizrenit, që pos historisë së lashtë, me festivalin ofron edhe histori bashkëkohore. Ofron një përmbajtje që ecën me kohën dhe tregon se bota lëviz. Dhe, pavarësisht se a mundemi ose jo ta zëmë hapin, për shkak të shumë gjërave të këqija që na rrethojnë, është një dritë e fuqishme që të lejon të dalësh nga një errësirë që ka shumë të tillë që do të donin të na e impononin për të mos ecur kurrë përpara.

Po të ishim aq të fuqishëm si shoqëri t’i identifikonim e t’i luftonim të këqijat që na kanosen, ku do të kishim mbërritur. Por jo, sepse për shumëkënd degjenerimin ta shkakton një performancë dyorëshe, por jo edhe krimi, mohimi i kombësisë dhe shtetësisë tënde dhe humbja e rrugës në oborr qe 25 vjet.

* * *

Kosova ka nevojë për një polici shumë profesionale, të cilën e përcjell një prokurori e gjyqësi edhe më profesionale, e cila kriminelët do t’i vendosë pas grilave e jo nëpër kafehane. Nuk ka nevojë për polici morale që funksionon me metodën e tahminit dhe është ekskluzivisht e burrave. Një e tillë, me sa di, ekziston vetëm në Iran.