Për katër vjet në Maqedoni kanë humbur jetën 6 alpinistë

Alpinizmi aq sa mund të jetë mahnitëse, për fat të keq ndonjëherë përfundon me pasoja katastrofike.

Kështu ishte edhe në fillim të këtij muaji kur shtetasi i huaj humbi jetën në afërsi të Majës së Titos në Kodrën e Diellit, ndërsa trupi i tij u nxjerr me helikopter.

Në shumicën e aksioneve të shpëtimit përfshihet edhe Ministria e Punëve të Brendshme e cila nga viti 2018 deri në vitin 2022 ka ndërhyrë në 23 aksione për shpëtimin e 30 personave që kanë bërë alpinizëm në malet e Maqedonisë së Veriut.

Gjashtë persona prej të cilëve tre shtetas të huaj kanë humbur jetën, ndërsa 11 persona prej të cilëve 4 janë shtetas të huaj, u janë vërtetuar lëndime trupore. Te 13 persona prej të cilëve 5 kanë qenë të huaj është ndërhyrë për shkak se kanë humbur rrugën.

Më së shumti raste ka pasur në vitin 2021 me 7 raste, pastaj në vitin 2018 dhe 2019 me nga 5 raste dhe 3 raste gjatë vitit 2020 dhe në periudhën janar tetor 2022. Numri më i madh i rasteve apo 10 raste ka pasur SPB Tetovë, SPB Manastir me 5 raste, SPB Ohër 4 raste, SPB Shkup 3 raste dhe 1 në SPB Strumicë.

“Ministria e Punëve të Brendshme në vazhdimësi ndërmerr dhe realizon aktivitete parandaluese për parandalimin dhe reduktimin e aksidenteve me alpinistët duke mbajtur takime, takime me qytetarë dhe anëtarë të shoqërive alpinistike, alpinistë të huaj, si dhe me organizatorë me karakter rekreativ dhe profesional, me qëllim parandalimin e dukurive të tilla dhe rritjen e sigurisë së alpinistëve”, thonë nga MPB.