Për herë të parë në histori të klubit kryesojnë në Ligue 1, postimi i skuadrës franceze për Messin bëhet viral: Reflekto mirë Leo

Lionel Messi është larguar nga Barcelona dhe së shpejti pritet të vendos për të ardhmen e tij.

Por të gjitha rrugët e qojnë argjentinasin drejt kryeqytetit të Francës, Parisit.

Paris Saint Germain i ka bërë ofertë zyrtare futbollistit më të mirë në botë, por zyrtarizimi mungon edhe pse kryeqytetasit shihen si favoritët kryesorë për të nënshkruar me të.

Por pas javës së parë të zhvilluar në Ligue 1, PSG nuk është lider dhe ka befasi në tabelën e klasifikimit.

Skuadra e futur për herë të parë në histori të saj në Ligue 1, Clermont Foot janë në krye të tabelës me tri pikë pas fitores 0-2 te Bordeaux.

Por menjëherë pasi morën kryesimin në Ligue 1, Clermont janë bërë hit në rrjetet sociale.

Skuadra modeste franceze ka postuar tabelën e Ligue 1 dhe ka kërkuar nga Messi të reflektoj, për të shkuar te ta dhe jo te PSG.

“Reflekto mirë Leo, ka gjithmonë kohë për të ndryshuar planet”, ka shkruar Clermont në Twitter.

Postimi i skuadrës franceze është bërë shpejt viral nëpër rrjetet sociale, pasi ai është shpërndarë mijëra herë nga tifozët e futbollit.
Kujtojmë që te kjo skuadër luan edhe sulmuesi i Kosovës, Elbasan Rashani i cili asistoi në golin e parë. /Telegrafi/