Pep Guardiola cilëson Arsenalin si rivalin kryesor për titull në Ligën Premier

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola, ka thënë para takimit me  Arsenal se londinezët do të jenë për një kohë të gjatë kandidat për të fituar titullin e Ligës Premier.

Arsenal, të cilët përfunduan në pozitën e dytë në tabelë pas Cityt vitin e kaluar, janë pa humbje deri më tash në elitën e futbollit anglez.

City në anën tjetër, pësoi humbjen e parë në ligë vikendin e kaluar ndaj Wolves, por përkundër asaj ata përsëri kanë një pikë më shumë se “Gunners”.

“Ata ishin rivali më i madh sezonin e kaluar dhe do të qëndrojnë atje për një kohë të gjatë”,  ka thënë fillimisht Guardiola.

 

I pyetur nëse Arsenali do të ishte rival për titullin këtë sezon, ai shtoi: “Absolutisht, së bashku me Liverpoolin. Për të analizuar pretendentët për titull, ideja është ta bëjmë në 10 ndeshjet e para. Duhet të presim, por klubet e mëdha janë gjithmonë pretendentë. Arsenali është kthyer. Kur isha djalë i ri dhe fillova si menaxher në Barcelonë, e di që ata luftuan me ekipin e Sir Alex Ferguson, Manchester United”.

Arsenali ka humbur 12 ndeshjet e fundit në ligë kundër Cityt dhe fitorja e fundit daton në dhjetor të vitit 2015 ku atëherë triumfuan me rezultat 2-1 përmes golave të Theo Walcott dhe Olivier Giroud.

Megjithatë, ata mposhtën skuadrën e Guardiolës në “Community Shield” në penallti dhe trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta është i bindur se skuadra e tij mund ta arrijë atë rezultat në “Emirates Stadium”.

“Shqetësimi im i vetëm është cilësia e kundërshtarit dhe të dielën duhet të jemi në maksimumin tonë për 100 minuta”, përfundoi 41-vjeçari.