Detaje të reja janë mësuar në lidhje me aksionin e policisë që është zhvilluar ditën e djeshme në Shijak, për të kapur autorët e pengmarrjes së Jan Prengës në Kamëz. Sipas informacioneve mësohet se Policia ka arrestuar 3 persona dhe 7 të tjerë në kërkim.
Mësohet se në pranga kanë rënë, Bajram dhe Elton Hajri dhe Olsi Turja. Në kërkim është shpallur dhe Leonard dhe Altin Hajri. Po ashtu uniformat blu vijojnë operacioni, pasi dyshohet se në pengmarrjen në Kamëz janë përfshirë dhe disa persona të tjerë.
Operacioni u zhvillua mëngjesin e djeshëm dhe RENEA ka rrethuar kompleksin Golden, në pronësi të Altin dhe Emiljano Hajrit. Jak Prenga u mor peng më 17 janar, në qendër të qytetit të Kamzës. 49-vjeçari ndodhej në automjetin e tij në rrugën “London” në momentin që pranë tij janë afruar dy persona të maskuar, të cilët kanë zbritur nga automjeti i tyre, i llojit “Range Rover” dhe kanë filluar të debatojnë me të.
Ata e kanë futur Prengën me forcë në makinën e tyre dhe janë larguar me shpejtësi nga rruga ‘London’, ku edhe ndodhi ngjarja. Dyshohet se konflikti ka nisur për një shumë parash të marrë hua, sot u shtua pista e prishjes së pazareve të drogës, konkretisht e 16 kilogramëve kokainë, që i vëllai i tij nuk ka dorëzuar tek porositësit. Ndërkohë mësohet se makina me pengun brenda është nisur drejt Fushë Krujës dhe është pikasur në Urën e Gjoles.