Shkruan: Naser Pajaziti
Ziadin Sela, Bilall Kasami dhe Afrim Gashi gjenden në momentet e rëndësishme të karrierave të tyre politike. Pritjet dhe taktizimet për koalicionimin trepalësh pas dorës së zgjatur nga Ziadin Sela po duken pa një fund të lumtur, por edhe larg befasisë apo shpresës deri në minutat e fundit.
KUSH dhe PSE po e minon koalicionimin trepalësh, janë pyetjet që nuk kanë përgjigje të qartë dhe që po e shtojnë tymnajën në taborrin e tyre. E kësaj tymnaje se “a do të bashkohen ose jo”, që po i fryejnë oponentët politikë, në fund mund ti dal flaka e llahtarshme dhe përvëluese. Kjo temë e tejzgjatur arriti të përdoret si kartë manovrimi politik edhe nga vetë Ali Ahmeti, duke fërkuar duart që mos të ndodhë ajo që duhet të ndodhë!
Andaj, është koha për reflektim dhe jo kokëfortësi, duke parë jashtë oborrit të selive partiake, jashtë egove dhe interesave partiake apo grupore, duke parë se çdo ditë po shuhet perspektiva, po zbrazen shtëpitë e po ikë rinia.
Çdo shmangie nga rruga e duhur e unifikimit që po e kërkon votuesi opozitar, do t’i shndërroj në parti të egove të liderëve të tyre ose në parti të kalkulimeve të interesave të udhëheqjes. Me këtë përfundon përgjegjësia politike dhe lidhja e tyre me votuesin.
Çdo qasje e stilit “jo nuk duam pse ata, apo ne jemi më të …” është përjashtuese dhe nënkupton vazhdimin e avazit të vjetër të zhbërjes dhe copëzimit të votës shqiptare, që do të kanalizohet në konton e të tjerëve. Përgjegjësia është e juaja?!