Pendarovski: Shanset për zgjidhje të shpejtë të kontestit me Bullgarinë janë të vogla, por ende ekzistojnë!

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski në një intervistë për Deutsche Welle, ka theksuar se shanset për zgjidhje të shpejtë të kontestit me Bullgarinë janë shumë të vogla, por megjithatë ato ekzistojnë ende.

“Unë kam përcaktuar që më parë, duke marrë parasysh deklaratat e shumta nga Sofja në muajin e kaluar, që shanset për një zgjidhje të shpejtë janë të vogla, megjithëse ato ekzistojnë ende. Kjo lidhet me përpjekjet, që të sillet në tryezën e negociatave me BE çështja e identitetit. Në një kohë që kjo është një temë, që në botë deri më tani askush nuk e ka prekur apo që të jetë negociuar ndonjëherë për këtë,” tha Stevo Pendarovski për Deutsche Welle.

Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut në gusht të vitit 2017 nënshkruan marrëveshjen e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë për të tejkaluar armiqësitë dhjetëravjeçare dhe grindjet historike. Politikanët bullgarë janë të mendimit, se marrëveshja nuk po respektohet dhe duan garanci që kjo të ndryshojë në të ardhmen. Por Presidenti Pendarovski është i një mendimi tjetër dhe e bën Sofjen përgjegjëse për bllokadën.

“Nëse në negociatat për një marrëveshje nuk ka besim të mirë, ju mund të gjeni gjithmonë një arsye për të penguar atë. Kompleksiteti i procesit të integrimit ofron mundësi të shumta proceduriale për të ngritur barriera”, tha Pendarovski.

Kreu i shtetit, Stevo Pendarovski, po ashtu thotë se reformat kyçe në shtet pa mbikëqyrjen e drejtëpërdrejtë të BE-së nuk mund të çohen përpara me shpejtësinë e kërkuar.

“Jam i sigurtë, që pa një mbikqyrje të drejtërdrejtë të BE nuk mund të çohen përpara reformat me shpejtësinë e kërkuar. Nën këtë aspekt, do të jetë sigurisht një faktor negativ përjashtimi i Maqedonisë së Veriut për një kohë të gjatë nga negociatat formale”, është shprehur presidenti Stevo Pendarovski për Deutsche Wellen.