Pendarovski pranoi letrat kredenciale të ambasadores së re të Suedisë, Ami Larson Xhein

Presidenti Stevo Pendarovski sot pranoi letrat kredenciale të ambasadores së sapoemëruar të Mbretërisë së Suedisë në Republikën e Maqedonisë së Veriut, Ami Larson Xhein.

Në ceremoninë e dorëzimit të letrave kredenciale, presidenti Pendarovski, siç njoftuan nga kabineti i tij, theksoi se të dyja vendet në vazhdimësi po ndërtojnë marrëdhënie partneriteti, të cilat reflektohen jo vetëm përmes nivelit të lartë të dialogut politik, por edhe përmes bashkëpunimit në fusha nga interesi i ndërsjellë.

Duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Suedisë për integrimet evropiane të Maqedonisë, presidenti Pendarovski theksoi se hapja e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian është me rëndësi kyçe për përshpejtimin e agjendës reformuese në vend.

“Mbretëria e Suedisë do të kryesojë me Këshillin e Bashkimit Evropian në gjysmën e parë të vitit 2023 dhe jam i bindur se mbështetja për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të vazhdojë me tempo të pandërprerë”, theksoi presidenti Pendarovski.

Ambasadorja Larson Xhein theksoi se bashkëpunimi dypalësh po zhvillohet në një nivel të kënaqshëm në shumë fusha me interes të përbashkët, si demokracia, barazia gjinore dhe mjedisi.

Ambasadorja e sapoemëruar shprehu mirënjohjen për mbështetjen e shpejtë dhe të fuqishme të Maqedonisë së Veriut për ratifikimin e protokolleve për anëtarësimin e Mbretërisë së Suedisë në NATO, si dhe për qëndrimet parimore të Maqedonisë së Veriut në kontekstin e demokracisë dhe sundimit të ligjit në kontinentin evropian.

Presidenti Pendarovski i ka uruar ambasadores Ami Larson Xhein mandat të suksesshëm gjatë misionit të saj të rëndësishëm diplomatik në vend.