Pendarovski po mendon ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme edhe një javë, zgjedhjet më 12 korrik!?

Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski, nesër do të mbajë fjalim dhe do të deklarohet nëse do të shpallë edhe një gjendje të re të jashtëzakonshme, për shkak se ditën e shtunë përfundon gjendja e jashtëzakonshme që u shpall për të katërtën herë.
Ai duhet të përgjigjet në të gjitha pyetjet lidhur me koronavirusin, por edhe ta arsyetojë vendimin për vazhdimin apo heqjen e gjendjes së jashtëzakonshme.
Pendarovski duhet të përgjigjet nëse është mbajtur mbledhja e Këshillit për Siguri para se të shpallet vendimi për gjendje të jashtëzakonshme.
Burime të Gazetës Lajm nga kabineti presidencial, thonë se presidenti Pendarovski ende nuk ka sjellë vendim përfundimtar, por se gjasat janë të mëdha që gjendjen e jashtëzakonshme mund ta vazhdojë maksimalisht edhe një javë. Të njëjtat burime thonë se pas Dekretit të djeshëm qeveritar me të cilin obligohen organet kompetente për vazhdimin e procedurave zgjedhore, afati maksimal i mundshëm që imponohet për vazhdim të gjendjes së jashtëzakonshme është një javë, eventualisht dhjetë ditë. Në rast të tillë zgjedhjet do të mbaheshin më 12 ose 15 korrik, në mënyrë që dita e mërkurë do të shpallej ditë jo pune.
“Sipas Kushtetutës, presidenti mund ta vazhdojë gjendjen e jashtëzakonshme maksimalisht deri në 30 ditë, që do të thotë se mund ta vazhdojë edhe më pak se kjo periudhë, pa marë parasysh a do të jetë një javë, 10 ditë, dy javë. Maksimumi kushtetues është 30 ditë”, sqarojnë nga kabineti i presidentit Pendarovski duke folur për gazetën Lajm, por duke mos dashur të konfirmojnë ose demantojnë informacionin se gjendja e jashtëzakonshme nesër do të vazhdohet plus një javë.
“Gjith;ka do të dihet nesër, kur do të flasë presidenti. Për momentin mund të ju themi se nuk ka ende vendim. Nuk është mirë që ne nga kabineti të komentojmë para se presidenti t’i drejtohet opinionit”, theksojnë të njëjtat burime.
Ndryshe Pendarovski duhet të përgjigjet në pyetjet lidhur me mbajtjen e zgjedhjeve dhe për takimin eventual të liderëve të partive politike.
Qeveria deri tani nuk ka dhënë mendim për gjendjen e re të jashtëzakonshme deri te kabineti i presidentit Pendarovski.
“Është praktikë e deritanishme që Qeveria të japë mendim, por nuk ka obligim ligjor ose kushtetues për një gjë të tillë”, thonë nga kabineti i Presidentit.