Pendarovski pas takimit me Radev: Nuk ka diçka konkrete, ishte thjeshtë një takim miqësor

Presideni i vendit Stevo Pendarovski dhe homologu i tij bullgar Rumen Radev zhvilluan një takim të shkurtër në aeroportin e Shkupit. Në deklaratë për media, presidenti Pendarovski tha se nga takimi nuk ka diçka konkrete sepse ishte thjeshtë një takim miqësor, ndërsa kanë biseduar vetëm për ndodhitë në Bruksel.

“Kjo ishte vetëm një bisedë fillestare gjatë këtij takimi të shkurtër. Do të kemi mundësinë të bisedojmë edhe në Romë, po edhe gjatë kthimit të bisedojmë në mënyrë shtesë …Nga biseda e tanishme nuk ka rezultate sepse ishte thjeshtë një takim miqësor i shoqëruar me kafe dhe në përgjithësi biseduam për atë se çka ka ndodhur gjatë këtyre ditëve në Bruksel. Negociatat mes vendeve tona i udhëheqin Qeveritë dhe ashtu do të jetë edhe në të ardhmen. Kuptohet se ne jemi këtu nëse duhet të relaksojmë atmosferën dhe me një gjuhë më ndryshe të flasim për problemin që kemi tanimë 1 vit. Vlerësoj se është e nevojshme rikthimi i besimit dhe si miq të flasim edhe për çështjet më të vështira të cilat për momentin na ndajnë, ndërsa unë shpresoj se së shpejti do të na afrojnë”, deklaroi Stevo Pendarovski, president i RMV-së.

Prej aeroportit Ndërkombëtarë të Shkupit, Pendarovski dhe Radev do të udhëtojnë së bashku për në Romë për të nderuar vëllezërit Shën Kirili dhe Metodij.