Pendarovski e mori raportin e KE-së: Është udhërrëfyes për punën e institucioneve

Presidenti Stevo Pendarovski sot ka pritur në takim shefin e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ambasadorin David Geer, i cili ia dorëzoi Raportin e Komisionit Evropian për progresin e Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.

Në takim, presidenti Pendarovski theksoi se raporti i sivjetshëm ka një rëndësi të veçantë, pasi është i pari pas fillimit të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe fillimit të skriningut.

Presidenti Pendarovski vlerësoi se raporti jep pasqyrë të detajuar të gjendjes në shoqëri, por edhe se është udhërrëfyes për punën e mëtutjeshme të institucioneve dhe fushave në të cilat duhet kushtuar më shumë vëmendje.

Procesi i anëtarësimit, sipas presidentit Pendarovski, kërkon që të gjitha kapacitetet të synohen në realizimin e reformave të nevojshme dhe në këtë kontekst ai theksoi nevojën që të gjithë akterët shoqërorë të kontribuojnë në këtë proces.

Presidenti Pendarovski tha se hapja e negociatave me Maqedoninë e Veriut është një mundësi e mirë që Bashkimi Evropian të demonstrojë përkushtimin e tij për integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, si përgjigje më e mirë ndaj euroskepticizmit në rritje në rajon.