Pendarovski: Dita e Evropës është themeli i vërtetë i vlerave qytetëruese

Me rastin e Ditës së Fitores mbi Fashizmin dhe Ditës së Evropës, përmes një postimi në rrjetin social Facebook, edhe Presidenti i vendit, Stevo Pendarovski uron qytetarët me mesazhin që të ruajmë vlerat e paqes, bashkimit dhe dinjitetit.

“Sot shohim se fitorja e lirisë, të drejtave të njeriut, demokracisë dhe barazisë është në rrezik në një kohë kur ne besuam se u fitua plotësisht. Sot, në mes të gjakderdhjeve të reja, duhet të kujtojmë më shumë se kurrë mësimet e së shkuarës dhe 9 maji është një nga ato data – themeli i vlerave të vërteta qytetëruese. Dita e fitores mbi fashizmin është një nderim për miliona jetët e humbura në luftën kundër okupatorit, një ditë kur me krenari kujtojmë se kemi qenë, jemi dhe do të mbetemi në anën e duhur të historisë. Dita e Evropës, e cila feston idenë e paqes dhe unitetit të qëndrueshëm në kontinent, është një tjetër kujtesë e vlerës vendimtare të rrugës drejt diversitetit evropian. Vetëm me dinjitet, me respekt për të drejtën e vetëvendosjes mund të flasim për një Evropë të bashkuar.
Fitorja mbi fashizmin është gjithashtu një fitore për Evropën.”, ka shkruan Pendarovski.

Ndryshe, data 9 Maj njihet si Dita e Evropës dhe në nder të kësaj dite, organizohen një sërë aktivitetesh për ruajtjen dhe promovimin e vlerave evropiane.

Në vendin tonë aktivitetet për shënimin e Ditës së Evropës kanë nisur më datë 5 Maj dhe do të zgjasin afërsisht një javë.