Penalltia e Messit ia jep Barcelonës fitoren dhe kreun e La Ligës

Barcelona iu kthye fitoreve në La Liga duke e mposhtur me rezultat 1:0 Real Sociedadin në Camp Nou, pas disfatës së xhiros së kaluar kundër Real Madridit. Penalltia e shënuar nga Lionel Messi ia dha Barcelonës jo vetëm tre pikët e kësaj ndeshjeje, por edhe kreun e La Ligës, të paktën përkohësisht.

Pas disfatës zhgënjyese të fundjavës së kaluar me rezultat 2:0 kundër Real Madridit, Barcelona e Quique Setien kishte shpresuar t’ua kompensonte hidhërimin e javës së kaluar tifozëve me gëzim përmes një fitoreje bindëse në këtë xhiro, transmeton Gazeta Express.

Megjithatë, përderisa katalonasit nuk arritën të sigurojnë fitore me rezultat bindës, ata arritën t’i marrin tre pikët e kësaj ndeshjeje, falë një goli të shënuar nga kapiteni Lionel Messi në minutën e 80-të nga pika e penalltisë.

Kjo penallti e Barcelonës shkaktoi debat dhe paqartësi në rrjete sociale shkaku i rregullave të reja në futboll për prekjet me dorë. Topi e kishte goditur Le Normand në dorë, përderisa ai po tentonte ta largonte topin nga një harkim i Jordi Albas.

Ndeshja fillimisht vazhdoi dhe Real Sociedadi e pati një rast për të shënuar, megjithatë VAR-i ndërhyri pas disa momenteve dhe ia akordoi Barcelonës penalltinë për atë incident – mundësi kjo të cilën e konkretizoi Messi.

Kjo fitore bën që Barcelona ta marrë kreun e La Ligës me dy pikë më shumë sesa Real Madridi. Megjithatë, madrilenët do ta luajnë ndeshjen e kësaj xhiro të dielën në orën 21:00 kundër Real Betisit. /Gazeta Express/