“Peker takohej me politikanë, biznesmenë e diplomatë”, deputeti Enes Ibrahim tregon për njohjen me të

Çaj e shëtitje në çarshi të Shkupit.

Qytetarë që e ndalojnë për ta përshëndetur.

Plot njerëz prapa vetes, që të ngjan me skena të serialeve turke.

Kështu ia kalonte Sedat Peker në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut, në fillim të vitit 2020. Ai është një prej personave që ka marrë pasaportë të falsifikuar me identitetin e rrejshëm Xhadin Amedovski.

Para se autoritetet e vendit ta ekstradojnë në Turqi si person “Non garta” për vepra të tjera për të cilat kërkohej, në Shkup Pekerin e shoqëronte deputeti i Partisë Lëvizja e Turqve, Enes Ibrahim, partner koalicioni i kryeministrit Zoran Zaev.

Për arsye shëndetësore, Ibrahim tha se nuk mundet të flasë para kamerës, por pranoi të shkruajë për mikun që e kishte mirëpritur.

“Peker na është mik i vjetër. Kur qëndronte në Maqedoni, kishte takime me biznesmenë, investues, artistë, politikanë, kjo nuk është e fshehtë. Kishte takim edhe me parti politike shqiptare, VMRO-DPMNE si dhe me kryetarë komunash. Kishte takime me diplomatë. Sipas informacioneve të mia, z.Peker nuk kishte fletëarrest ose fletëarrest ndërkombëtar dhe shpesh ka udhëtuar në vende të ndryshme në rajon dhe jashtë”, deklaroi deputeti Enes Ibrahimi.

Sa i përket pasaportës, Ibrahim thotë se nuk e di dhe nuk beson se Peker do të kishte nevojë për pasaportë të tillë. As arsyen e deportimit thotë se nuk e di.

I pyetur nëse Zaev e ka takuar ndonjëherë Pekerin, deputeti Ibrahim i tha TV21 se me sa di, nuk janë takuar ndonjëherë. Shton se është takuar vetëm me ata emra për të cilët flitet dhe ka foto në opinion, por jo me të tjerë nga LSDM.

Zoran Zaev është i informuar për takimet, por thotë se askush nuk mund të dijë nëse dikush është i dyshuar për diçka dhe nëse ka prapavijë për dhënie jo legale të pasaportave, andaj kryeministri nuk sheh asnjë faj për këtë.

“Jam i njoftuar edhe secili nga kolegët nga partitë partnere ka pasur takim pas kërkesës së tij, në çarshi dhe vende të tjera, por absolutisht askush nuk mund të thotë se dikush ka faj për këtë sepse normalisht kur dikush kërkon takim, dikush duhet të caktojë takimin. Siç shihni, institucionet funksionojnë dhe kanë dhënë rezultat”, tha Zaev.

Në rrjetet sociale tashmë kohë të gjatë qarkullojnë fotot të Pekerit me Kryetarin e Lidhjes së Boshnjakëve, Munir Kolashinac, partner politik i kryeministrit, si dhe kryetarin e Mavrovë-Rostushës nga radhët e LSDM-së, Medat Kurtovskin.

Zaev thotë se nëse ndonjëri me pasaportë të rrejshme është munduar të flirtojë me zyrtarë për të shpëtuar nga aksioni, kjo nuk mund të lejohej, ndërsa është dhënë mesazhi që kjo nuk duhet të përsëritet dhe se do të dënohet.

Nga ana tjetër, opozitarja VMRO-DPMNE, prezantoi dokumente të reja, që siç thonë, ua ka siguruar informatori i tyre. Pyesin nëse pasaporta e Maqedonisë ka pasur edhe Valid Isa Hmais, një nga bashkëpunëtorët e mafies italiane.

“Më 09.01.2019 në Shkup, në procedurë të rregullt është fotografuar në shërbimet e MPB-së, ndërsa më pas e ka tërhequr pasaportën Maqedonase me identitet të vjedhur të maqedonasit nga Korça, Vurmo Taqo, lindur më 1965. A është kjo e vërtetë apo vetëm perceptim siç thonë nga LSDM-ja?”, deklaroi deputeti i VMRO-DPMNE-së, Vllado Misajllovski.

Misajllovski tha se një gjë është sigurt, se mafia dhe qeveria paskan qenë një, ndërsa kërkoi që patjetër të ketë përgjegjësi.

Kryeministri Zaev ndërkaq sot tha se nuk mund që ai dhe Ministri Brendshëm të akuzohen nga se, siç thotë, kanë kryer aksion të suksesshëm.

“Kur dikush zbulon krim, duhet të shpërblehet e jo të përgjigjet”, u shpreh ai, duke përfunduar se gjatë regjimit të VMRO-DPMNE-së është koha kur janë bërë falsifikimet më të mëdha të dokumenteve.