PDSH: Spitalet ku jetojnë shqiptarët janë të papërgatitura për pandeminë

PDSH ka theksuar sot se pandemia me koronavirusin institucionet shëndetësore në vend i gjeti të papërgatitur në dimensionin e kuadrove adekuate, mjeteve dhe pajisjeve mjekësore.

Anëtari i kryesisë qendrore të PDSH-së, Luan Tresi shtoi se situata në Kumanovë është alarmante, si pasojë që institucionet përkatëse mbetën të shurdhër në reagimet dhe propozimet tona që nga fillimi i kësaj krize.

“Gjendja e rëndë në Kumanovë dhe rrethinë flet shumë për qasjen joprofesionale dhe joserioze të institucioneve shtetërore në këtë qytet. Deklarimet e PDSH-së që Spitalet në vendbanimet ku jetojnë shqiptarët nuk kanë kushte elementare në luftë me këtë epidemi u vërtetuan tërësisht”, theksohet në kumtesë.

Sipas tij, infektimi i numrit të madh të personelit mjekësor në Spitalin e Kumanovës tregon për mosmarrjen e masave adekuate në këtë spital në mbrojte të personelit shëndetësorë. Kjo përveç që rrezikon jetën e personelit shëndetësor e nxjerr edhe jashtë funksionimit Spitalin e Kumanovës, me çka banorët e kësaj rrethine nuk mund të marrin shërbime mjekësore në këtë Spital.

“Mungesa e kuadrit mjekësor, mjeteve dhe pajisjeve edhe më tej e rrëndon gjendjen në këtë qytet. Për fat të keq situatën e njëjtë e kemi edhe në Dibër dhe Strugë. Shtabit virtual i krizës në Kumanovë jo që nuk u përball me këtë situatë, por edhe prodhoi krizë. Kur anëtarët e shtabit të krizës, qeveritarët, si dhe personeli mjekësor infektohen, flet shumë për një mos organizim total të institucioneve kompetente. Kërkojmë nga BDI, shtojnë më tej nga partia e PDSH-së që të zgjohen nga gjumi në veçanti koordinatori Bujar Osmani, zv. Ministri i Shëndetësisë, drejtorët e Spitaleve që të marrin masa konkrete në Institucionet Shëndetësore dhe në Spitalin e Kumanovës për të siguruar mjete dhe pajisje, me çka do të mbrohet jeta dhe shëndeti i personelit mjekësor dhe qytetarëve të Kumanovës”, theksoi Tresi.(INA)