Paunovski s’e përfillë Grubin, i’a refuzoi 23 administratorë

Administratorët shtetëror shkaktojnë përplasje mes zëvendëskryeministrit Artan Grubi dhe Drejtorit të Inspektoratit të tregut Stojko Paunovski. Ky i fundit nuk e përfill Grubin. Nga 35 administratorët e dorëzuar nga Ministria për Sistemit politik ka pranuar vetëm 12.

“Mund tu tregoj vetëm për ata që janë Jurist dhe ekonomist. Ata janë 12 nga 35 të punësuar. Për ata kemi shpallur edhe tender për të siguruar inventar, që për ata njerëz të sigurojmë kushte që të mund të ulen dhe kompjuterë që të mund të punojnë e jo edhe më tej të rrinë në shtëpi e të figurojnë se janë të punësuar në Inspektoratin e tregut… Nuk mund të ndryshoj sistemim që dikush pa arsim adekuat, respektivisht që nuk i plotëson kushtet e posaçme të punësohet në Inspektoratin e tregut. Nuk mund të hap vende të tilla pune, e pas një kohe të caktuar vendet e njëjta ti shkurtojë. Ashtu edhe unë bëj shkelje të caktuar, ndoshta bëj edhe vepër penale”, pohoi Stojko Paunovski, Inspektorati i Tregut.

Paunovski thotë se përderisa Grubi kërkon që rreth 23 inspektor të punësohen pa arsim adekuat dhe vetëm në tre qytete në pjesën perëndimore të vendit, në pjesën lindore mungojnë inspektorë. Por zv/kryeministri Artan Grubi thotë se Paunovski nuk i ka refuzuar administratorët. Për tejkalimin e mosmarrëveshjeve, Grubi ka kërkuar ndihmë nga Zaevi.

“Asnjë institucion nuk ka refuzuar, përkundrazi kërkojnë administrator në përputhjet me profilet për të cilat ata kanë nevojë… Besoj se Zoti drejtor e ka marrë porosinë edhe nga kryeministri për ato deklarata, gjithsesi po se kemi më shumë jurist dhe ekonomist me një ndryshim të vogël të planit do të dërgojmë që ti plotësojmë nevojat e inspektoratit”, tha Artan Grubi, ministër për S.P.

Paunovski nga ana tjetër tha për Alsat se nuk ka marrë asnjë porosi nga kryeministri Zoran Zaev. Ai shprehet i prerë se derisa do të jetë drejtor nuk do të pranojë në inspektorat të punësuar të cilët janë me arsim për detektiv dhe jo jurist ose ekonomist. Thotë se nuk do të lejojë të shkatërrojë inspektoratin i cili sapo ka filluar të rimëkëmbet, e nëse Qeveria është kundër mund ta shkarkojë në mbledhjen e ardhshme të cilën duhet ta mbajë të martën. Për të sistemuar në vende pune, pas 10 viteve, rreth 1350 administratorët e punësuar përmes Marrëveshjes së Ohrit, Ministria për sistem politik 35 i dërgoi në Inspektoratin e Tregut, ndërsa të tjerët i ka shpërndarë në rreth 200 institucione të tjera. Por ende nuk është bërë sistemimi i plotë i tyre. ALSAT