Një grup prej 13 anëtarësh të dyshuar të një bande janë rrahur dhe djegur deri në vdekje nga një turmë në kryeqytetin e Haitit pasi u kapën ndërsa policia po kontrollonte automjetin e tyre.
Sipas mediave të huaja, të dyshuarit thuhet se janë rrahur përpara se të digjen në Port-au-Prince të hënën.
Policia thotë se iu ka konfiskuar armët pak para incidentit por nuk kanë shpjeguar se si pjesëtarët e publikut i kanë kapur të dyshuarit.
Haiti është përfshirë në paligjshmëri në rritje që nga vrasja e presidentit Jovenel Moïse në korrik të vitit 2021.
Kombet e Bashkuara thanë në një raport të publikuar të hënën se pasiguria në kryeqytet ka arritur nivele të ngjashme me vendet në luftë.
Bandat e armatosura vazhdojnë të konkurrojnë për të zgjeruar kontrollin e tyre territorial dhe se përleshjet me policinë dhe bandat rivale janë “bërë më të dhunshme dhe më të shpeshta”, duke marrë jetën e shumë civilëve, shtoi ai.
Dhuna e bandave çoi në vdekjen e afro 70 personave, duke përfshirë 18 gra dhe dy fëmijë, vetëm nga 14 deri në 19 prill, sipas OKB-së.
Shumë shkolla dhe qendra shëndetësore janë detyruar të mbyllen dhe dhuna ka ndikuar gjithashtu në qasjen në shumë mallra dhe shërbime.
Që nga vrasja e Moïse, kombi i Karaibeve është udhëhequr nga kryeministri Ariel Henry, i cili nuk ka arritur të frenojë bandat që tani kontrollojnë rreth 60% të kryeqytetit.




