Pasi demoja e këngës iu bë virale në TikTok, Bebe Rexha dhe David Guetta nisin punën për ta publikuar të plotë remiksin e “Blue”

Këngëtarja shqiptare me famë ndërkombëtare, Bebe Rexha, ditë më parë publikoi një video në rrjetin social TikTok.

Kjo pasi kënga shoqëruese e videos ishte një demo e shkurtër e këngës “Blue”, që ajo dhe David Guetta nuk e përfunduan kurrë, pasi nuk e panë të arsyeshme.

Por në fakt tani fansat kanë filluar me ngulm që ta kërkojnë publikimin e saj të plotë, pasi demoja në fjalë është bërë një prej këngëve më të kërkuara në aplikacionin Shazam.

Këtë e ka bërë të ditur vet Rexha me shpërndarjen e një statusi, ku citohej: “Videoja e interpretimit të Bebe Rexhës me remiksin e papublikuar ‘Blue’ me David Guettan ka tejkaluar shifrën e gjashtë milionë shikimeve. Ka qenë në kërkimet e Shazamit në afro 20 shtete në mbarë botën”.

Tutje, 32-vjeçarja dhe sinjale se ajo dhe DJ i famshëm, janë duke punuar për ta publikuar atë të plotë, kur e shpërndau një tjetër status të një prej fanseve, ku shkruante: “Kënga po bëhet virale në TikTok edhe pse nuk është publikuar. Imagjinoni nëse ju publikoni një këngë, ajo do të shpërthejë”.

“Jam duke punuar në të”, shkroi artistja me origjinë shqiptare në mbishkrimin e statusit.

Në anën tjetër, edhe DJ me famë botërore David Guetta nuk i rezistoi tundimit, duke ndarë me ndjekësit e tij në Instagram një video nga hera e parë kur e kishte lëshuar këngën “Blue” me Bebe Rexhën gjatë një paraqitje të tij në Ultra Music Festival në vitin 2017, në Miami.

“Ne e regjistruam këtë demo me Bebe Rexhën disa vjet më parë. Unë e lëshova atë për herë të parë në Ultra Music Festival në 2017. Magjia e TikTok-ut e bëri atë trend për javë të tëra tani. A duhet ta publikojmë atë”, shkroi Guetta në Instagram.

Mesa duket dyshja e kanë marrë shumë seriozisht publikimin e këtij projekti muzikor, që veç nga demoja është kthyer në obsesionin e shumëkujt.