Pas shqetësimeve se Jackie Chan mund të jetë infektuar me coronavirus, aktori deklarohet shëndosh e mirë

Nga informacionet e fundit, së paku 84.000 njerëz janë infektuar dhe rreth 2.900 kanë vdekur si pasojë e COVID-19, i njohur si coronavirus.

Duke qenë se shumica e të infektuarve janë në Kinë dhe rreth 100 të tjerë janë raportuar në Hong Kong, ka pasur shqetësime se Jackie Chan mund të ishte në mesin e të prekurve, ose me virus ose në karantinë.

Ikona e filmave aksion e ka shfrytëzuar faqen e tij në internet dhe rrjetet sociale, për t’i njoftuar fansat se është shëndosh e mirë.

“Faleminderit për kujdesin e treguar! Jam shëndosh e mirë dhe shumë i sigurt! Ju lutem mos u shqetësoni, nuk jam në karantinë. Shpresoj që të gjithë të jenë të sigurt dhe të shëndoshë!”, ka shkruar 65-vjeçari.

Shfaqja e filmit të ri të Chan, “Vanguard”, ishte anuluar në janar për shkak të rrezikut potencial se virusi mund të shpërndahej nëpër kinema.

Ndryshe, virusi bartet nga një person te tjerë përmes rrugëve të frymëmarrjes me anë të spërklave, zakonisht gjatë kollitjes apo teshtitjes.

Inkubacioni (koha nga infeksioni deri te shfaqja e simptomave) zgjat nga dy deri në 14 ditë. Simptomat përfshijnë temperaturën e lartë trupore, kollitjen dhe vështirësi në frymëmarrje.