Pas sezonit turistik, hotelet në bregun e Ohrit janë të zbrazët

Shumë nga hotelet në Ohër dhe Strugë njoftojnë se do t’i mbyllin bizneset e tyre muajt e ardhshëm. Thonë se të ardhurat e realizuara gjatë verës nuk janë të mjaftueshme për ta kaluar periudhën që pason. Dimri po afrohet, kriza me korona-virusin është prezent dhe është e pasigurt se si do të shkojnë gjërat më tej sa i përket masave të mundshme të reja kufizuese. Hotelet për momentin janë pothuajse bosh.

“Nëse vazhdon kështu, me siguri do të mbyllen hotelet. Do t’i mbyllim, s’ka tjetër. Për kë të punojë. Nuk ka njoftime e as turistë. Shumë masa dhe e tërë kjo lidhet me punën në tërësi. Nuk jam optimist”, tha Pero Kutanoski- menaxher hoteli.

Mbyllja e hoteleve do të sjell largimin e disa prej punonjësve. As punonjësit turistik nuk janë optimist.

“Vërtetë duhet të mbijetojmë deri në sezonin e ardhshëm. Nga ajo që parashikohet për sezonin e ardhshëm, nuk jemi shumë optimist. Rekomandimi im për kolegët është që të planifikojnë kohën e tyre dhe të jenë gati për zero angazhim dhe të gjejnë ndonjë mënyrë për të mbijetuar”, u shpreh Kliment Naumov- ciceron turistik.

Nëse shteti nuk del me pako të re masash, do të jetë shumë e vështirë për të gjithë, thonë nga Organizata e Hotelierëve.

“Presim ndihmë. Secili me numra negativë në fund të vitit do të duhet të marrë ndihmë. Mbetet për tu parë nëse kjo do të jetë në formën e rrogës. Sidoqoftë, do t’i ndihmojë të gjithë”, deklaroi Kërste Bllazheski- kryetar i HOTAM.

Ky sezon turistik ishte më i suksesshëm se vitin e kaluar, por ishte afatshkurtër. Shumica ishin turistë vendas. Sipas sektorit të turizmit, vetëm 10% e mysafirëve kanë qenë turistë të huaj.