Pas nëntë muajsh tensione, Kurti e Vuçiq përballë njëri-tjetrit

Për herë të parë pas më shumë se nëntë muajsh, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen më 26 qershor në Bruksel për të zhvilluar, sipas Bashkimit Evropian, një rund të ri bisedimesh për normalizimin e marrëdhënieve.

Takimi i fundit mes tyre, më 14 shtator 2023, përfundoi pa ndonjë pajtim.

Ata diskutuan për zbatimin e Marrëveshjes për normalizimin e marrëdhënieve, të arritur në shkurt të atij viti, por nuk u dakorduan për mënyrën.

Dhjetë ditë më vonë, më 24 shtator, ndodhi sulmi në Banjskë – fshat në pjesën veriore të Kosovës.

Grupe të armatosura serbësh sulmuan policinë e Kosovës atje, duke vrarë rreshterin Afrim Bunjaku. Në përleshjen e armatosur që pasoi, u vranë edhe tre sulmues serbë.

Kosova fajësoi udhëheqjen shtetërore të Serbisë për sulmin, por ajo e mohoi çdo përgjegjësi.

Kurti tha, atëkohë, se dialogu për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë nuk mund të vazhdojë, sikur nuk ka ndodhur asgjë në Banjskë.

Duke folur për gazetën britanike, Financial Times, ai tha se “nëse nuk do të ketë dënime dhe sanksione ndaj Serbisë pas asaj që ka bërë, definitivisht nuk do të ketë dialog”.

Thirrjet e bashkësisë ndërkombëtare për shtensionimin e situatës, si dhe normalizimin urgjent të marrëdhënieve u intensifikuan.

Diplomatë perëndimorë zhvilluan vizita të njëpasnjëshme në Kosovë dhe në Serbi, në përpjekje për t’i kthyer palët në tryezën e negociatave.

Në fund të tetorit, ata u paraqitën udhëheqësve të të dyja vendeve edhe një draft-statut për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, që do të duhej të formohej në Kosovë, por ai nuk u çua përpara.

Po atë muaj, Kurti dhe Vuçiq ishin në Bruksel, ku, në margjina të një samiti të BE-së, takuan veç e veç presidentin e Francës, Emmanuel Macron, kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, dhe shefin e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Josep Borrell.

BE-ja i cilësoi ato takime si “mbështetje” për dialogun, por maratona e tyre përfundoi pa ndonjë përparim.

Duke ofruar një sinjal normalizimi, në dhjetor të atij viti, Qeveria e Serbisë vendosi t’i lejonte makinat me targa të Republikës së Kosovës – RKS – të qarkullonin në territorin e saj.

Paraprakisht, në Kosovë, makinat me targa ilegale serbe u riregjistruan me targa të Kosovës. Kosova, po ashtu, lejoi qarkullimin e lirë të makinave me targa të Serbisë – gjë që u mirëprit nga Bashkimi Evropian.

Por, në ditët e para të këtij viti, tensionet u rritën sërish, kur Banka Qendrore e Kosovës njoftoi, më 17 janar, se nga 1 shkurti valutë e vetme për pagesat me para të gatshme në Kosovë do të jetë euroja, duke ndaluar në këtë mënyrë dinarin serb.

Atëkohë, autoritetet e Kosovës mbyllën, po ashtu, disa komuna paralele serbe në vend.

Kryenegociatorët e dy vendeve, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, zhvilluan së paku shtatë takime për çështjen e dinarit – valutë në të cilën komuniteti serb, prej vitesh, pranoi të ardhura nga Serbia – por të gjitha të pasuksesshme.

Për këtë çështje, edhe Kurti e Vuçiq u përballën në një takim të jashtëzakonshëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Situata vazhdoi të mbetet e tensionuar edhe në muajt e pranverës, kur komuniteti serb në veri të Kosovës i bojkotoi votimet për shkarkimin e kryetarëve shqiptarë të komunave: Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.

Marrja e pushtetit prej tyre, në pranverë të vitit 2023, i çoi tensionet në kulm dhe Qeveria e Kosovës, nën trysninë e bashkësisë ndërkombëtare, nxori një udhëzim administrativ, në bazë të të cilit do të zëvendësoheshin ata kryetarë.

Por, pas thirrjes së partisë kryesore serbe në Kosovë, Lista Serbe, qytetarët serbë i bojkotuan votimet që do të çonin në zgjedhje të reja.

Serbët në veri i rezistuan edhe regjistrimit të popullsisë, të organizuar nga institucionet e Kosovës, ndërkohë që Serbia u angazhua në fushatë për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Kosova nuk u fut në agjendën e kësaj organizate në maj, kur do të vendosej për anëtarësimin e saj, pasi refuzoi të merrte hapa në drejtim të formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ashtu siç i kërkuan diplomatët perëndimorë.

Ndërkohë që pritet takimi i radhës Kurti-Vuçiq, një tjetër çështje që e mban në teh situatën, është ura kryesore mbi lumin Ibër në Mitrovicë, e cila ndan këtë qytet në jugun me shqiptarë dhe veriun me serbë.

Duke qenë prej vitesh vend i tensioneve, hapja e saj për qarkullim u aktualizua javëve të fundit nga Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut, por rriti shqetësimet e komunitetit ndërkombëtar për sigurinë.

Qeveria e Kosovës i tha Radios Evropa e Lirë se në fokus të takimit të 26 qershorit në Bruksel “do të jetë zbatimi i Marrëveshjes drejt normalizimit të raporteve, Aneksi për zbatimin e saj dhe rruga përpara”.

Nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve nga viti 2011, por shumë nga dhjetëra marrëveshjet e arritura mbeten pa u zbatuar.

Kosova e konsideron Serbinë kërcënim për sigurinë e saj, Serbia e sheh si të tillë Qeverinë e Kosovës për serbët në Kosovë.

BE-ja ua ka kushtëzuar të dyja vendeve përparimin drejt anëtarësimit në këtë bllok me normalizimin e marrëdhënieve.

Ndaj Kosovës, BE-ja mban në fuqi edhe disa masa ndëshkuese, të cilat u ndërmorën pas përshkallëzimit të tensioneve në veri, në vitin 2023, por, javën e kaluar, paralajmëroi se ato do të hiqen “pjesërisht dhe gradualisht”.

Në gati tre vjetët e kaluar, Kurti dhe Vuçiq zhvilluan gjithsej tetë takime, por të gjitha përfunduan pa ndonjë marrëveshje të nënshkruar.

 

Sytë e opinionit në të dyja vendet do të jenë të mërkurën në Bruksel për të parë se si do të përfundojë i nënti.

Ai vjen pas vizitave që i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, zhvilloi javën e kaluar në Prishtinë e në Beograd.

A ka diçka që ndodhi në prapaskenë në lidhje me sulmin në Banjskë, që i parapriu këtij takimi? Nuk dihet. Ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq, që e mori përgjegjësinë për sulmin, mbetet ende i lirë dhe sanksione kundër Serbisë nuk u ndërmorën./REL