Pas miratimit të buxhetit, Kurti ka dy falënderime

Gjatë ditës së djeshme, deputetët e Kuvendit të Kosovës, kanë mbajtur seancën për miratimin e ligjit për buxhetin e vitit 2020.

Vetëm në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, deputetët e Kuvendit arritën që ta votojnë atë.
E për votimin e ligjit për buxhetin për vitin 2020, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka falënderuar publikisht deputetët të cilët edhe pse në gjendje jo të mirë shëndetësore, qëndruan në sallë për orë të tëra dhe e votuan buxhetin.

Ai po ashtu ka falënderuar edhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmanin, për organizimin.

Postimi i plotë i Kurtit pa ndërhyrje:

Dy falënderime

Qëndrimi i deputetëve për mbi dhjetë orë në Kuvend për ta miratuar ligjin për buxhetin 2020 dëshmoi përgjegjësi të lartë përballë situatës së pandemisë që ka prekur tashmë sidomos kontinentin tonë.

I falënderoj deputetët e LDK-së, ata të pakicave dhe të VETËVENDOSJE!-s, për përkushtimin dhe mbështetjen.

Në veçanti, i falënderoj deputetët me probleme shëndetësore, prej z. Fetah Rudit në karrocë invalidore e deri te z. Hatim Baxhaku i operuar në zemër para vetëm një muaji e gjysmë.

Organizimi dhe mbarëvajtja e mbledhjes së djeshme të jashtëzakonshme nga Kryetarja e Kuvendit, znj. Vjosa Osmani, ishte i jashtëzakonshëm.

Nga kontrolli mjekësor në hyrje të sallës gjer te ndjekja e përpiktë e hollësive procedurale.

Ishte kjo një ditë e gjatë me sukses të plotë.

Miratimi i buxhetit vjetor është ndër hapat më të rëndësishëm për të përballuar sfidat aktuale, e për të zbatuar programin e qeverisë së ndryshimit. Të falemnderit Kryeparlamentare.