Pasi një fans goditi Bebe Rexhën në fytyrë me celular gjatë një koncerti në New York, a duhet të mendojë industria e muzikës ndalimin e pajisjeve mobile në koncerte?
Për vite të tëra, yjet e turneut si: Bob Dylan, Jack White dhe Dave Chappelle kanë thënë se regjistrimi i videove në telefon ia prish përvojën e performancës live – dhe kjo ishte përpara se sulmi me celular në ajër të bëhej viral në rrjetet sociale. Por, ekspertët thonë se ndryshimi nuk do të ndodhë menjëherë, shkruan Billboard.
Ndërsa të famshëm dhe muzikantë duke përfshirë: Demi Lovato, John Stamos, Hayley Kiyoko dhe Lauren Jauregui shprehën të gjithë shqetësimin për Bebe Rexhën pasi ajo u dërgua me urgjencë në spital dhe publikoi një fotografi syrit të nxirë pas incidentit, Steven Adelman, nënkryetar i Aleancës për Sigurinë e Ngjarjeve, thotë: “Kjo nuk do të ndryshojë asgjë – ende”.
“Por” shton ai, “është çarja e parë në një mur që përfundimisht do të bjerë”.
Nuk është një debat i ri nëse telefonat celularë prishin përvojën e koncertit, por sulmi i Rexhës është rasti i parë i madh i përdorimit të dhunshëm të pajisjeve teknologjike ndaj një këngëtari.
Vetëm vitin e kaluar, Bruno Mars i Silk Sonic tha: “Me kamerat, ju thoni: ‘Nuk e di nëse dua ta provoj këtë lëvizje kërcimi sonte’”.
“Gjithmonë kam menduar, në një moment, do të kishte një ndalim të celularëve sepse shkel një pjesë të rëndësishme të pronës intelektuale për artistin – performancën e tyre live”, thotë Adelman.