Kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev thotë se është i gatshëm që ta takojë liderin e opozitës, Hristijan Mickoski me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje mbi Ligin për Prokurorinë Publike. Zaev insiston që teksti i ligjit të përshtatet në negociata mes pushtetit dhe opozitës si të dhe miratohet derisa Kuvendi është funksional. Karshi negociatave me VMRO-DPMNE-në, Zaev thotë se është në bisedime edhe me deputetët e pavarur që u shkëputën nga partia e Mickoskit.
Nëse vërtet duhet që dyja palët ta shqyrtojnë tekstin, unë jam i gatshëm të ulemi me Mickoskin dhe të gjejmë zgjidhje sepse ky ligj është i rëndësishëm për shtetin. PSP më nuk ka, ligji më nuk ka efekt juridik, ndërsa lëndët janë në duar të sigurta dhe i janë ndarë prokurorëve përkatës nga kryeprokurori dhe po zhvillohen proceset gjyqësore. Pra nëse duhet unë dhe Mickoski të ulemi, le të ulemi dhe të bisedojmë. Besoj se do të gjejmë zgjidhje. Unë do të bisedoj edhe me tetë deputetët që besojnë në të ardhmen Evropiane- tha Zoran Zaev, Kryetar i LSDM-së.
VMRO-DPMNE-ja akoma nuk ka shqyrtuar tekstin e propozuar nga ministrja e Drejtësisë, Renata Deskoska. Nga ky subjekt, duke taktizuar me kohën e mbetur deri në shpërndarjen e Kuvendit shprehen pesimist se mund të arrihet kompromis.
Ndoshta pushteti i ka thirrur mendjes, por gjasat për një gjë të tillë janë të vogla. Duhej në kohë t’i pranonte vërejtjet dhe rekomandimet që i kishte VMRO-DPMNE-ja. Por sidoqoftë, le të presim dhe shohim çfarë do të ndodhë- tha Igor Janushev, Sekretar i përgjithshëm i VMRO-DPMNE-së
Pushteti i bën thirrje opozitës që Ligji për Prokurorinë Publike të miratohet para zgjedhjeve të parakohshme parlamentare. Opozita në parim është për konsensus, por si fillim kërkon që ish prokurorët Special të mos jenë pjesë e Prokurorisë për Krim të organizuar dhe Korrupsion me të cilën do të udhëheq Villma Ruskoska. Nevojën e miratimit të Ligjit për Prokurorinë Publike, gjatë vizitës së tij në Shkup e potencoi edhe komisari për zgjerim i BE-së, Oliver Varhejli. Ndërkohë kreu i Kuvendit, Talat Xhaferi ka deklaruar se Parlamenti mund ta miratojë ligjin menjëherë, derisa pushteti dhe opozita tejkalojnë dallimet./Alsat