Parlamenti grek zgjedh presidentin e shtetit

Në Parlamentin grek sot mbahet një seancë speciale për zgjedhjen e presidentit të ri të Greqisë, në të cilën deputetet do të votojnë për propozimin e qeverisë, Ekaterini Sakelaropullu të jetë shefi i ri i shtetit, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Seanca është caktuar në orën 10:30 sipas kohës lokale, nuk është paraparë debat, por vetëm votim në të cilin secili nga deputetët, gjithsej 300, do të thirret dhe nëse synon ta mbështesë propozimin e qeverisë, do të duhet ta thotë emrin e Sakelaropullu.

Kryetarja e deritanishme e Këshillit shtetëror, që është organi më i lartë gjyqësor në Greqi, është rrugës për t’u bërë presidentja e parë femër e vendit.

Sipas paralajmërimeve nga partitë, pritet të fitojë mbështetje nga partia në pushtet, Demokracia e Re dhe partia në opozitë SYRIZA dhe Lëvizja për ndryshim. Nëse të gjithë deputetët e të tria partive e mbështesin Sakelaropullun, ajo do të zgjidhet gjatë votimit të parë, me shumicë të gjerë, mbi 200 vota të nevojshme.

I vetmi i cili, tani për tani, publikisht kumtoi se nuk do të marrë pjesë në votim, për shkak të udhëtimit në SHBA është ish-kryeministri grek, Andonis Samaras. Pra, pa votën e tij, nëse nuk ka deputetë të tjerë që mungojnë, pritja është që sot me 265 vota, Ekaterini Sakelaropullu të zgjidhet si grua e parë presidente në Greqi.

Pas votimit, sipas paralajmërimeve, kryetari i Parlamentit do të shkojë në Këshillin shtetëror, në vendin e punës së Sakelaropullu për t’ia kumtuar rezultatet.

Betimi solemn i presidentes së re greke, pritet të jetë më 13 Mars 2020, kur skadon mandati i Presidentit aktual grek, Prokopis Pavlopullos.

Zëvendësministri nën kryeministrin dhe zëdhënës i qeverisë greke, Stelios Pecas në një konferencë të rregullt dje me gazetarë dhe korrespondentë të huaj, tha se Sakelaropullu është “zgjedhje unifikuese dhe meritokrate” dhe do të jetë “mishërimi i unitetit të kombit”.

“Gjithashtu është një opsion nga e ardhmja që simbolizon epokën e re në të cilën vendi ka hyrë. Dhe a ka më mirë se një grua ta simbolizojë rilindjen kombëtare të atdheut tonë”, theksoi Pecas.