Paqartësi për nisjen e mësimit më 1 shtator

Me afrimin e vitit të ri shkollor 2020-21, shtohen shqetësimet e drejtorëve të shkollave për mënyrën se si do të realizohet mësimi. Përderi sa nuk ka një vendim konkret, drejtorët e shkollave thonë se kanë mbetur në udhëkryq dhe nuk dinë si të organizojnë punën në shkollë. Shumë prej tyre thanë për Alsat se e vetmja gjë që për momentin po bëhet në shkollë është përgatitja ose rikonstruimi i infrastrukturës dhe inventarit të shkollës për mësim.

Deri në fillimin e vitit të ri shkollor kanë mbetur vetëm dy javë, ndërsa vetëm një ditë më parë Komisioni për Sëmundje Ngjitëse propozoi që nxënësit e klasës së parë e deri në të tretën të fillojnë vitin e ri shkollor me prezencë fizike. Pjesa tjetër nga arsimi fillor dhe i mesëm, mësimin ta ndjekin nga distanca. Dritë jeshile këtij propozimi i dhanë edhe përfaqësuesit e Arsimit që morën pjesë në mbledhjen e KSI-së. I njejti propozim do të diskutohet në seancën e Qeverisë dhe më pas të merret vendimi përfundimtar.

Ndërkohë sipas informacioneve që siguroi Alsat, propozimi i Komisionit për mësimin nga distanca nuk do të përfshijë të gjitha komunat dhe shkollat. Ky komision propozon që shkollat në komunat ku ka numër më të vogël të nxënësve të regjistruar dhe numër të vogël të paraleleve mësimi të organizohet dhe realizohet në formë klasike, me prezencë fizike në klasë, vetëm nëse gjendja epidemiologjike e komunës e lejon një gjë të tillë.

Gjithashtu, Alsat mëson që edhe nxënësit nga klasa e parë e deri në tretën do të ndahen në grupe në rast se klasa numëron shumë nxënës. I njejti mësimdhënës do të punojë me të dy grupet. Para se të vij në shkollë grupi i dytë, klasa duhet dezinfektuar. Propozohet që ora mësimore të zgjasë 30 minuta.

Ditë më parë, ministri i Arsimit, Arbër Ademi tha se nuk përjashtohet mundësia që viti i ri shkollor 2020-21 të shtyhet. Sipas Ademit, çfarëdo vendimi që të merret duhen bërë ndryshime ligjore. Ademi tha se qëndrimi i tij personal është që shkollat të hapen dhe të funksionojnë varësisht gjendjes epidemiologjike.