Paqarada mbrojtësi më i mirë i majtë në Bundesliga 2, sipas drejtorit sportiv të Koln

Futbollisti nga Kosova Leart Paqarada, pritet të transferohet në rangun elitar të futbollit gjerman.

Kjo pasi interesim për të kanë shprehur nga ekipi 1 FC Koln.

Madje, drejtori sportiv i këtij klubi, Christian Keller, ka folur rreth kësaj çështje.

Ai në një intervistë për gazetën gjermane Kicker, tha se 28-vjeçari është mbrojtësi më i mirë i Bundesliga 2.

“Mendoj se ai është mbrojtësi më i mirë i krahut të majtë në rangun e dytë të futbollit dhe do të ishte gjë e mirë nëse ai do të luante për ne. Ai ka luajtur me vazhdimësi të lartë për disa vjet dhe është lojtar shumë inteligjent. Ka nivel të lartë teknik të lojës dhe është shumë i sigurt në ndërtimin e lojës, edhe kur ka presion nga kundërshtari”, tha Keller.

“Ka zgjidhje dhe në të njëjtën kohë, rrezikon portën kundërshtare. Ka harkime të mira dhe është i rrezikshëm në goditjet e dënimit. Nuk është çudi ai po kërkohet nga gjysma e ekipeve të Bundesligës”, theksoi ai.