Papandreu dhe Katrugalos e përshëndetën vendimin e BE-së për fillimin e negociatave

Ish kryeministri grek dhe kryetar i Internacionales Socialiste, Jorgos Papandreu dhe ish ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë Jorgos Katrugalos, mirëpritën vendimin e djeshëm të BE-së për të filluar negociatat e pranimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE, transmeton korrespondentja e MIA-s nga Athina.

Papandreu nëpërmjet llogarisë së tij zyrtare në Tuiter tha se ky ishte mesazh pozitiv, ndërsa Katrugalos në deklaratë të shkruar thotë se është korrigjuar gabimi i madh i BE-së.

“Pas shumë vonesave, BE ka dhënë dritën e gjelbër për negociatat e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Mesazh pozitiv, aq i nevojshëm në këto periudha të vështira”, shkroi Papandreu në Tuiter.

Ish ministri i Punëve të Jashtme të Greqisë, tani i ngarkuar me politikën e jashtme në SIRIZA-n opozitare, Jorgos Katrugalos, thotë se vendimi kontribuon në stabilitetin dhe zhvillimin e të dy vendeve.

“Vendimi i Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme për të filluar negociatat me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë korrigjon gabimin e madh të BE-së. Në momentin më kritik, ajo kontribuon me vendosmëri në stabilitetin dhe zhvillimin e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, ndërsa hapi edhe një kapitull të ri për paqen dhe bashkëpunimin në Ballkan dhe miqësinë në mes popujve tanë. Në kohën kur Greqia po përballet me sfida të mëdha globale dhe rajonale, është veçanërisht e rëndësishme që Marrëveshja e Prespës të ndalë rrjedhën e shpejtë të destabilizimit dhe tjetërsimit nga BE-ja në vendet në kufirin tonë verior”, tha Katrugalos.