Papa bën thirrje për ulje të tensioneve ndërmjet SHBA-së dhe Iranit

Ai tha se tensionet rrezikuan “të komprometojnë procesin gradual të rindërtimit në Irak, si dhe të vendosin bazat për një konflikt të madh”.

Papa e bëri thirrjen e tij, gjatë një fjalimi vjetor, drejtuar ambasadorëve të akredituar në Vatikan.

“Veçanërisht shqetësuese janë sinjalet që vijnë nga i gjithë rajoni, pas rritjes së tensioneve midis Iranit dhe Shteteve të Bashkuara”, u tha Papa Françesku, diplomatëve nga më shumë se 180 shtete.

Udhëheqësi 83-vjeçar i Kishës Katolike gjatë fjalimit të tij, bëri një përmbledhje kryesisht të zymtë të vitit 2019, duke folur për luftëra, ngrohjen globale, ksenofobinë ndaj migrantëve dhe rrezikun e armëve bërthamore.

Më 31 dhjetor 2019 Ambasada e SHBA-së në Irak u sulmua nga një turmë demonstruesish, të zemëruar nga vrasja e militantëve të lidhur me Iranin, gjatë sulmeve ajrore të SHBA-së, transmeton rel.

Disa ditë më pas, më 3 janar, Shtetet e Bashkuara përmes një sulmi me dron në Irak, e kanë vrarë komandantin e lartë iranian, Qasem Soleimanin.

Soleimani ka udhëhequr forcat elite të Gardës Revolucionare Islamike, të cilën SHBA-ja e konsideron terroriste.

Irani i është përgjigjur vrasjes me sulme kundër bazave amerikane në Irak, këtë javë.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, në një fjalim drejtuar kombit, tha se për aq kohë sa ai është president i SHBA-së, Irani nuk do të ketë kurrë armë bërthamore.

“Forcat tona amerikane janë të përgatitura për gjithçka. Por, Irani duket se po tërhiqet”, ka deklaruar ai.