Paniku nga Koronavirusi/ Në barnatoret e Prishtinës s’ka maska, në njërën për dy orë shitën 350 copë

Kjo ka bërë që farmacitë në Kosovë të mbesin pa maska mbrojtëse.

Lajmi.net ka vizituar disa nga barnatoret e kryeqytetit për të pyetur rreth sasisë së maskave, çmimit të tyre dhe shqetësimit të qytetarëve.

Sipas shitësve në këto barnatore, nuk ka asnjë produkt që po kërkohet më shumë ditëve të fundit sesa maskat mbrojtëse.

Në një barnatore të Prishtinës për lajmi.net kanë treguar se për 2 orë gjatë ditës së djeshme i ka shitur 350 copë maska dhe se ma nuk ka as në barnatoren e saj dhe as në depot e farmacive në Kosovë.

“Ka kërkesa tepër shumë. Dje, për 2 orë janë shitur 350 copë maska, më nuk ka. Një produkt tjetër i cili po kërkohet shumë është gelli antibakterial, që kemi ende sasi por jemi në përfundim”.

Ajo më tutje ka treguar gjithashtu se çmimet e maskave janë shtrejtuar.

“Problemi është që ka mungesë të maskave edhe nëpër depo, por edhe çmimi i tyre është rritur për 5 ose 6 herë. Ka pasë raste kur një maskë është shitur deri në një euro”, ka thënë ajo më tutje.

E në një barnatore tjetër në lagjën “Vellusha”, për lajmi.net kanë treguar se vetëm gjatë ditës së djeshme dhe sot kanë shitur mbi 10 pako me maska.

“Po ne i kemi pasur 10 pako përafërisht me maska, por janë shitur të gjitha dje dhe sot, tani më nuk kemi. Produkte të tjera që janë shitur janë edhe faculetat e lagura dhe gelli antibakterial”, tha farmacistja për lajmi.net, duke shtuar se ka mungesë të maskave nëpër depo.

Edhe një gell antiseptik po shitet shumë nëpër barnatoret e Prishtinës.

“Maska nuk kemi. Qytetarët po vijnë të alarmuar shumë dhe me kërkesa të mëdha. Ka raste kur i kanë marrë nga 50 copë. Po e shesim edhe këtë produktin anti-septik që kanë mbetur vetëm edhe 6 copë”.

Farmacistët e Prishtinës kanë treguar se qytetarët po shkojnë të frikësuar e në panikë për të marrë masat elementare mbrojtëse nga Koronavirusi i ri që tani më ka përfshirë disa vende të Evropës.

Sot ndërkaq është bërë e ditur se tre pacientë të rinj janë duke pritur rezultatet me dyshimet se janë prekur nga koronavirusi.

Ndërkohë për katër të tjerë analizat e të cilëve janë kryer dje, rezultatet kanë dalë negative.

Koronavirusi i ri është virus që ka lindur në Kinë dhe ka shkallë të vogël të vdekshmërisë (2 për qind).

Se në Kosovë nuk ka anti-virus është konfirmuar edhe nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike mbrëmë nëpërmjet një komunikate nga laboratori ku po trajtoheshin pacientët e dyshuar për Koronavirus.

“Në Kosovë nuk ka koronavirus! Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike sot në mbrëmje ka marrë informatë nga Klinika Infektive e QKUK për një pacient të kthyer nga Italia i hospitalizuar në Klinikn Infektive, SHSKUK. Pacienti u vizitua nga ekipi i infektologëve në Klinikën Infektive, u morë mostra për testim laboratorik në virus SARS-CoV-2. Ekipi i Laboratorit të Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK ka bërë testimin në virus SARS-CoV-2 te pacienti A.B. me metodën rRT-PCR dhe testi ka rezultuar negativ domethënë pacienti nuk është të infektuar me virusin SARS-CoV-2.”, thuhet në komunikatën e fundit nga IKSHP.

Në anën tjetër, Kosova ka marrë edhe masat e para mbrojtëse kundër Koronavirusit me vendosjen e ekipeve të veçanta mjekësore në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari”, dhe nëpër pikat kufitare të Kosovës me vendet fqinjë.